Arbëri

MPB-ja dënon sulmet ndaj veturave me targa të përkohshme

Ministria e Punëve të Brendshme ka dënuar kërcënimet që kanë marrë sot qytetarët që janë pajisur me targa të përkohshme të Kosovës.

Sipas MPB-së, kërcënuesit nuk janë identifikuar ende.

“Ministria e Punëve të Brendshme dënon ashpër këto kërcënime në drejtim të qytetarëve të cilët janë pajisur me tabela të përkohshme sipas Vendimit të MPB-së më 20 shtator 2021. Forma të tilla të kërcënimeve ndikojnë drejtpërdrejtë në krijimin e një klime ku qytetarët ndihen të frikësuar të jetojnë dhe të veprojnë në vendin e tyre. Këto kërcënime janë të papranueshme dhe po pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Sot gjatë ditës, KSP-ja raportoi se dy vetura me targa të përkohshme RKS janë sulmuar në Zveçan nga banorët lokalë.

MPB-ja njoftoi se nga 20 shtatori kur është marrë vendimi për masë reciprociteti për targat e veturave nga Serbia, janë lëshuar 11.500 tabela të përkohshme.

Serbët në veri kanë bllokuar dy rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të pakënaqur me vendimin për targat, mirëpo në pikat tjera lëshimi i targave të përkohshme po shkon normalisht.