Dorëheqja e Qeverisë Haradinaj dhe zgjedhjet e parakohshme të 2019-s janë arsyetimet e Qeverisë në detyrë për dështimin e Kosovës në kuadër të përmbushjes së reformave në administratën publike e që Kosovës i kushtuan me shtatë milionë euro.
Deri në fund të vitit 2020, buxheti i Kosovës do të duhej t’i arkëtonte 16.5 milionë euro nga Komisioni Evropian. Por, e ka humbur gati gjysmën e kësaj shume, shkaku që nuk e ka përmbushur shumicën e reformave në administratën publike, që kërkoheshin nëpërmjet një marrëveshjeje për Mbështetje të Sektorit të Buxhetit, e realizuar në kuadër të IPA 2.
Institucionet është dashur t’i zbatojnë 23 reforma specifike për ta fituar këtë shumë, por një studim i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane ka gjetur se janë përmbushur vetëm 8 sosh. Kjo ka bërë që në vend të 16.5 milionë eurove përkrahje, Kosova të fitojë vetëm 9.03 milionë euro duke humbur 7.47 milionë euro nga fondet e BE-së.
Me marrëveshje, institucionet e Kosovës u zotuan se gjatë viteve 2018-2020 do të zbatojnë 8 reforma në fushën e administratës publike, të cilat do të vlerësoheshin me anë të 33 indikatorëve. Si shpërblim, BE-ja do të ndante 22 milionë euro të mbështetjes direkte buxhetore, përmes 4 transheve financiare, secila në vlerë prej 5.5 milionë eurosh. Kjo nënkuptonte se, sa më shumë reforma që ndërmerreshin, aq më shumë fonde të jepeshin. Dhe e kundërta.
Pak ditë pasi KOHA raportoi për humbjen e shtatë milionë eurove nga ky fond, Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me sqarim. Në këtë sqarim, MPB-ja ka thënë se në vitin 2018 kishte marrë tre milionë euro, ndërsa në vitin 2019 dështoi për shkak të “të zhvillimeve politike përfshirë dorëheqjen e Qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme, zhvillime këto që cilat bllokuan procesin vendimmarrës të Qeverisë”.
“Prandaj, në vitin 2019 Kosova arriti të përmbushë vetëm një tregues, duke arritur të zbatojë 50% të rekomandimeve të lëshuar gjatë vitit 2018 dhe 2019 nga Avokati i Popullit, e për të cilat institucionet janë përgjigjur pozitivisht. Qeveria gjithashtu përmbushi një tregues tjetër, duke miratuar Koncept Dokumentin për Reduktimin e Barrës Administrative, mirëpo për shkak se Vendimi i Qeverisë u mor në mars të vitit 2020 dhe jo gjatë vitit 2019, ai nuk u përfshi në vlerësimin pozitiv nga Komisioni Evropian duke i pamundësuar Qeverisë të kërkoj 800-mijë Euro. Një tregues tjetër i rëndësishëm i reformave është racionalizimi i agjencive, ku përderisa institucionet kishin përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për procesin, vendimet kishin ngecur për arsye politike. Viti 2020 është ngrirë nga Komisioni Evropian për shkak të ndikimit të pandemisë Covid-19 dhe zhvillimeve të tjera në Kosovë që kanë ndaluar procesin e reformës”, thuhet në sqarim.
Kjo ministri tutje ka thënë se po përgatit kërkesën për zgjatje dhe rinegocim të kontratës duke përfshirë edhe riplanifikimin e fondeve të mbetura për vitin 2018 dhe 2019, në shumën prej shtatë milionë euros. Sipas MPB-së, “këto mjete nuk janë të humbura, por mbetet të diskutohet me Komisionin Evropian nëse ato mund të ri-planifikohen”.
Edhe
Dështimi i Qeverisë ia humb Kosovës edhe 7.5 milionë të IPA-s
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj reformave në administratën publike. Së bashku me mbështetjen nga Bashkimi Evropian, ne kemi bërë arritje të rëndësishme, dhe puna jonë e përbashkët do të vazhdojë”, thuhet në njoftim të MPB-së.
Marrëveshja mes Kosovës dhe BE-së, që i referohet Mbështetjes Sektoriale Buxhetore, është nënshkruar në dhjetor të 2017-s. Ajo kishte dy qëllime: avancimin e reformave evropiane në fushën e administratës publike, dhe mbështetjen financiare Qeverisë për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.