Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se pas reshjeve të shiut dhe borës, situata meteorologjike do të stabilizohet.
Ky përmirësim i motit parashihet të ndodhë si rezultat i prezencës së masave të ajrit me presion të lartë atmosferik.
IHMK-ja njofton se do të ketë më shumë orë me diell e pak vranësira më të theksuara përgjatë relievit malor.
Nuk parashihen reshje të asnjë forme, brenda kësaj periudhe pesë-ditëshe të parashikimit.
“Për shkak të kthjellimeve dhe reshjeve të borës që ranë në viset e larta malore, parashihen ulje të temperaturave minimale deri në -3 gradë Celsius, ndërsa në viset e ulëta minimalet parashihen rreth -2 gradë, e në disa zona për rreth maleve edhe deri -3 gradë Celsius. Këto temperatura minimale parashihen vetëm në orët e hershme të ditës, ndërsa gjatë ditës do të ketë rreze dielli. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri +7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 7-24 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi e lehtë deri mesatare”, thuhet në njoftim.