Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës në Interaktiv të KTV-së ka thënë se vendit do t’i cenohej demokracia nëse dikush nga palët e përfshira në rastin për dekretin e presidentit për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër nuk pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ajo ka thënë se “duket që ka një presion nga të gjitha palët që vendimi të merret në favor të tyre”.
“Ajo që mbetet e rëndësishme është që Gjykata Kushtetuese të interpretojë Kushtetutën dhe që aktgjykimi të respektohet nga palët e përfshira. Kjo është çështje që i mbetet GJK-së. I mbetet palëve të respektojnë atë, sepse s’ka zgjidhje tjetër pos kësaj. Jemi demokraci e re. Po ndërtojmë praktika që duhet të jenë të shëndetshme për demokracinë tonë dhe afatgjate. S’mund të kemi përzgjedhje të vendimeve që respektohen apo jo nga partitë, pse i shkojnë apo jo përshtati një politike. Mbetet të shihet, është e vështirë të jenë të gjitha të kënaqura, por me rëndësi është të sqarohen disa gjëra, kemi rast të parë kur mocioni nuk shpërbëhet menjëherë pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, e duhet të dimë sa herë rrëzohet qeveria të shkohet në zgjedhje, a duhet t’i jepet mundësia një shumice parlamentare apo diçka tjetër. Kjo nënkupton se mund të kemi dy apo tre qeveri në legjislaturë. Të sqarohen disa gjëra, të krijohet një precedent, që të bëhen praktika që të na ndihmojnë për të ardhmen”, është shprehur ajo.
Krasniqi ka thënë se është e drejtë e gjithsecilit që të protestojë, duke komentuar paralajmërimin e Lëvizjes Vetëvendosje për “test-protestë”, por ka shtuar se “përderisa qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, kjo s’do të thotë që partitë të mos respektojnë aktgjykimin e GJK-së”.
“Si partitë edhe presidenti duhet të respektojnë aktgjykimin e të ndërmarrin veprimet e shkruara aty. Protesta, deklaratat nga partitë e presidenti duhet të rezervohen nga veprimet që mund të shihen si presion nga ana e Gjykatës Kushtetuese sepse cenon demokracinë e vendit dhe funksionimin normal të Republikës”, ka vazhduar Krasniqi.
Ajo ka kritikuar presidentin Hashim Thaçi për deklarimet e tij kundër Vetëvendosjes dhe përfshirjen në debatet për dekretin. Ka shtuar se roli i tij duhet të jetë unifikues dhe jo të mos lëshohet në komente ndaj partive.
Edhe
Çeku: Vendimi i Kushtetueses, goditje brutale për demokracinë
Për shkarkim të tij, nëse dekreti shpallet antikushtetues, Krasniqi ka thënë se duhet të shpjegohet nga Gjykata nëse kjo paraqet “shkelje të rëndë kushtetuese”.
Sa i përket kontestimit të palëve në këtë rast, Krasniqi ka thënë se Kushtetuese duhet të sqarojë nëse kur rrëzohet një qeveri a duhet të ketë kthim në fazën zero që t’i jepet mandati partisë së parë, apo të shkohet në shumicën parlamentare. Sipas saj, “Kushtetuta ka lënë hapësirën që nuk përcakton afatin kohor, por duhet të shihet qartë se një parti apo një koalicion nuk mund të ketë pa afat kohën e tyre për të formuar qeverinë sepse kjo do të bllokonte formimin e institucioneve”.