Edhe rreth një muaj kanë mbetur deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Teksa të mërkurën (sot) do të përfundojë afati për aplikimin e partive për pjesëmarrje, në Listë Serbe kanë përsëritur qëndrimin kundër përfshirjes në proces. E mospjesëmarrja e këtij subjekti ka ngritur shqetësime rreth mbarëvajtjes së zgjedhjeve
Një ditë para përfundimit të afatit për aplikimin e subjekteve politike për zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës, Lista Serbe e nuk ka ndryshuar qëndrimin kundër pjesëmarrjes. Arsyetim për këtë, nga kjo parti e dhanë mospërmbushjen e kërkesës që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Po ashtu, kërkojnë largimin e Policisë së Kosovës nga veriu.
Allen Meta, hulumtues në organizatën Demokraci për Zhvillim (D4D), e kualifikon me rrezik mospjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, si për sigurinë ashtu edhe për përqindjen e daljes së qytetarëve në votime.
“Shpresojmë që deri nesër (e mërkurë), deri në orën 4, të ndryshojë qëndrimi i Listës Serbe, edhe pse po shihet si i vështirë. Dhe pastaj, rezultatet, edhe në qoftë se mbahen zgjedhjet, do të jenë vështirë të pranueshme për qytetarët në përgjithësi, duke pas parasysh se mund të kemi një përqindje tejet të ulët në zgjedhje”, ka thënë ai.
Meta vuri në dyshim edhe legjitimitetin e rezultateve për shkak të pjesëmarrjes së ulët që pritet të jetë, sipas tij.
“Legjitimiteti i qytetarëve dhe përfaqësimit të këtyre qytetarëve do të jetë tejet i ulët duke pasur parasysh një numër të madh të qytetarëve dhe përkrahësve të Listës Serbe të cilët me gjasë edhe do të tentojnë ta sabotojë dhe do ta prishin gjithë rendin e asaj dite zgjedhore”, ka shtuar ai.
Çështja e sigurisë është ngritur si shqetësim edhe nga përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Sami Kurteshi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, thotë se Lista Serbe nuk duhet ta përcaktojë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve teksa theksoi se u takon institucioneve shtetërore dhe atyre të sigurisë që të garantojnë mjedis të sigurt për zhvillimin e procesit.
“Është çështje e shtetit a po do me u dorëzu para bandave kriminale, në çfarë mënyre po do me e bë këtë apo do të thotë ‘jo ne e kemi ligjin, e kemi Kushtetutën, ne do t’i zbatojmë ligjet dhe Kushtetutën. Edhe, kemi një shtet që duhet të ballafaqohet me bandat kriminale të futura nga Serbia, aty bën pjesë edhe Lista Serbe’”, ka thënë Kurteshi.
Ai thotë se institucionet e Kosovës duhet të dëshmojnë se janë në mbrojtje të sovranitetit.
“Lista Serbe as nuk është populli serb, as nuk e ka të drejtën e monopolit politik. E ka marrë të drejtën e monopolit kriminal, por atë duhet t’ia heqë nga dora Qeveria, atje duhet të mbahen zgjedhjet, duhet të jenë zgjedhje vërtetë të lira dhe vërtetë shumë partiake”, ka shtuar ai.
E Arianit Elshani nga Partia Demokratike u shpreh se mbarëvajtja e zgjedhjeve, pavarësisht mungesës apo jo të Listës Serbe, është punë e Ministrisë së Brendshme dhe e Policisë së Kosovës.
“Duhet të garantohet edhe nga Policia e Kosovës, edhe organet e tjera kompetente në mënyrë që t’i mundësohet çdo qytetari, e para mundësia për të garuar lirshëm... dhe e dyta për qytetarët të cilët votojnë në ditën e zgjedhjeve. Pra, zgjedhjet duhet të mbahen në kushte të paqes jo duke u ndier të kërcënuar për të shkuar e votuar në një qendër të votimit. Kjo duhet garantuar nga këto organe e jo nga KQZ-ja”, ka thënë Elshani.
Zgjedhjet në katër komunat e Kosovës të banuara kryesisht me serbë ishte paraparë të mbaheshin në dhjetorin e shkuar. Pas vlerësimit të situatës, presidentja Vjosa Osmani mori vendim që ato të shtyhen për muajin prill.
Në Zyrën e Presidentes nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me mundësinë e shtyrjes së sërishme të zgjedhjeve dhe vlerësimit të situatës aktuale.