Arbëri

(Mos)koordinimi me ndërkombëtarët, SHBA-ja demanton Sveçlën

Departamenti amerikan i Shtetit e kualifikoi veprim të pakoordinuar vendimin e së enjtes të Qeverisë së Kosovës për shpalljen e dy formacioneve ilegale serbe – “Mbrojta Civile” e “Brigada e Veriut” – si organizata terroriste. Ministri Xhelal Sveçla pati thënë se vendimi është marrë në koordinim me faktorin ndërkombëtar, duke i përmendur edhe BE-në, EULEX-in e KFOR-in. E nga këta tre mekanizma nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS nëse pati koordinim për vendimin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përgënjeshtruan Qeverinë e Kosovës në pretendimin se për shpalljen e formacioneve ilegale serbe - “Mbrojtja Civile” e “Brigada e Veriut” – si organizata terroriste, ka pasur koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

Pas kumtimit të vendimit të Qeverisë gjatë së enjtes, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se veprimi është bërë në koordinim me faktorin ndërkombëtar.

“Nuk ka këtu kurrfarë befasie, unë po ju them se ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, me disa herë pajtohemi, herë s’pajtohemi, por këta e ka koordinimi”, tha Sveçla.

Por në një përgjigje me shkrim për KOHËN të premten, nga Departamenti amerikan i Shteti e mohuan këtë koordinimin teksa Kosovës i bënë edhe thirrje që “të përmbahet nga hapat e njëanshëm”.

“SHBA-ja e dënon dhunën e papranueshme ndaj trupave të misionit të NATO-s, KFOR. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët e kanë përgjegjësinë primare për ta siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për ta zgjidhur krizën aktuale”, u shpreh një zëdhënës i DASH-it.

Si partnerë ndërkombëtarë, Sveçla pati përmendur edhe BE-në, EULEX-in e KFOR-in. Porse nga këta tre mekanizma nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS nëse ka pasur koordinim për vendimin.

E lidhur me koordinimin apo jo me Shtetet e Bashkuara, nuk pranoi të flasë as ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla. Ajo ndërkaq tha se asnjë organizatë terroriste nuk duhet të lejohet që të veprojë në Kosovë.

“Ne jemi zotuar për sundim të ligjit në çdo cep të vendit dhe aty organizatat që ushtrojnë terror ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës nuk kanë vend”, deklaroi Gërvalla.

Kundër vendimit të Qeverisë reagime të premten pati edhe nga Lista Serbe. Në njoftimin për media, ky subjekt i kualifikoi “Brigadën e Veriut” e “Mbrojtjen Civile” si organizata inekzistente teksa KFOR-it e EULEX-it u kërkoi që të vendosin forca në veri të Kosovës për, siç u tha, “parandalimin e Kurtit”.