Pas raportimit të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, në Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje, kryetari i komisionit, Bekë Berisha, ka mohuar lajmet e publikuara ditëve të fundit se ishte tentuar që automjeteve të FSK-së t’u ndërrohej ngjyra dhe t’i jepeshin në përdorim Policisë gjatë tensioneve në veri. Po ashtu janë mohuar edhe lajmet për kalimin e armëve nga FSK-ja në Polici.
Në pjesën e hapur të mbledhjes së Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, ministrit i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pohuar se marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes nuk janë prishur.
“Më datën 25 tetor kemi marrë konfirmimin që Republika e Kosovës do të jetë vendi nikoqir i Defender Europe 2023-shit. Kjo ka domethënie të madhe për ne se aty do të marrim pjesë me dy regjimente. Ne kemi filluar menjëherë me planin e përgatitjes si dhe me blerjet e pajisjeve ushtarake që nevojiten për këtë ushtrim. Kjo edhe një herë e dëshmon bashkëpunimin e ngushtë që e kemi me nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe besimin e tyre ndaj nesh”, ka thënë ai.
Raportimi i Mehajt u mbyll për publikun me kërkesë të kryesuesit të këtij komisioni, Bekë Berisha, me arsyetimin se do të flitej për çështje që janë të klasifikuara. Në një konferencë për media Berisha i cilësoi si trillime raportimet mediatike për idenë e ngjyrosjes së automjeteve të FSK-së për t’ia dhënë në shërbim Policisë dhe ato për kalim të armëve nga FSK-ja në Polici.
“Duhet të ketë kujdes me prodhimin e këtyre lloj rrenave, manipulimeve se kinse Kosova ose Ushtria e Kosovës ka dashur të përfshihet në një operacion policor që… ne e kemi NATO-n dhe e kemi Policinë e Kosovës. E kemi Policinë e Kosovës boll. Policia e Kosovës është e zonja për t’i menaxhuar këto situata. Do të thotë krejt këto janë trillime të panevojshme”, është shprehur Berisha.
Në nëntor të këtij viti KOHA ka raportuar se Shtetet e Bashkuara i kishin dërguar notë diplomatike Qeverisë së Kosovës duke i kërkuar që donacionet ushtarake të mos i ndërrojnë duart nga institucionet që parashihen si shfrytëzues të fundit. Policia e Kosovës nuk pati treguar nëse ka marrë pajisje nga FSK-ja.