Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mogherini: Pa e hequr Kosova taksën s’ka kushte për vazhdimin e dialogut

Foto: Driton Paçarada / Koha

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, porositi sot në Bruksel, se derisa të jetë në fuqi taksa ndaj Serbisë, nuk do të ketë kushte për një vazhdim të suksesshëm të dialogut.

Ajo precizoi se është e gatshme të përgatisë vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi në nivelin më të lartë “menjëherë në mëngjes”, pasi të arrihen kushtet për një gjë të tillë.

“Derisa të ndodhë kjo, unë nuk shoh se ka kushte për një raund të suksesshëm dialogu”, tha Mogherini. “Në momentin që përmbushen kushtet, jo vetëm që jam në dispozicion që të nisim dialogun qysh në mëngjes, por edhe të mbyllemi për sado që duhet, një javë, një muaj apo tre muaj”.

Në një konferencë shtypi pas takimit të ministrave të BE, Mogherini tha se kushti bazë për vazhdimin e dialogut është heqja e taksës ndaj mallrave serbe, e vendosur në nëntor të vitit të kaluar, e për të cilën kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka precizuar se do të mbetet në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Kryediplomatja evropiane pret që Beogradi dhe Prishtina të përdorin një atmosferë pozitive, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të plotë të marrëdhënieve.