Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mogherini: BE nuk mbështet shtete të pastra etnikisht

Vjenë, 31 gusht – Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme e Siguri, Federica Mogherini, deklaroi sot në Vjenë se BE do të mbështesë cilëndo marrëveshje midis Serbisë e Kosovës, që do të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, Unioni nuk mbështet shtetet e pastra etnikisht, transmeton Koha.net.

Po punojmë për arritjen e një marrëveshjeje juridikisht detyruese dhe jemi të përcaktuar që bisedimet të mbyllen brenda disa muajve të ardhshëm, që do të jetë një punë e vështirë, por jo e parealizueshme, u shpreh Federica Mogherini pas takimit joformal të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ajo deklaroi se në takim iu dha mbështetje e fuqishme dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Beogradit e Prishtinës dhe përkushtimit e vendosmërisë së presidentëve të Serbisë e të Kosovës, Aleksandar Vuçiqit e Hashim Thaçit, të cilët do të vazhdojë bisedimet javën e ardhshme në Bruksel, transmeton Koha.net.

Jemi të vetëdijshëm për sfidat, por edhe për mundësitë që të zgjidhet një nga tensionet më komplekse në Europë, 20 vjet pas luftës, u shpreh Mogherini.

Duke u përgjigjur në pyetjen rreth qëndrimeve të Serbisë e të Kosovës të prezantuara në takimin e sotshëm, Federica Mogherini tha se bëhet fjalë për takim joformal dhe se nuk do të flasë për atë që është thënë prapa dyerve të mbyllura.