Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MKRS me marrëveshje bashkëpunimi me 119 OJQ dhe organizata rinore

Sot u organizua ceremonia e nënshkrimit të kontratës mes MKRS-së dhe 119 organizatave të Shoqërisë Civile, organizatave rinore, përfituese në sektorin e rinisë, nga shpalljet e fundit publike në tematikat: kulturë, sport, rekreacion; siguri njerëzore; edukim shëndetësor; fuqizim dhe pjesëmarrje të të rinjve, parandalim të ekstremizmit, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.

Në ceremoni mori pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili u shpreh i gëzuar që po nënshkruhen kontratat mes MKRS-së dhe organizatave për projektet që ministria përkrah përmes thirrjeve publike.

“Ne do ta ndjekim një praktikë të re e cila ka për qëllim që të gjitha projektet të cilat përfitojnë organizatat rinore por edhe të rinjtë në përgjithësi në Republikën e Kosovës t’i prezantojmë në mënyrë ceremoniale edhe për të qenë transparent para publikut por edhe për ta arsyetuar çdo cent MKRS-ja i ndan për organizatat rinore”, tha Gashi.

Ministri porositi të rinjtë përfitues që projektet të cilat i kanë fituar t’i zbatojnë sipas kritereve të parapara dhe kërkoi nga ta që gjatë implementimit të projekteve të arrihet ndikim konkret.

Ministri tha se jemi duke punuar përbrenda MKRS-së që ta ristrukturojmë Departamentin e Rinisë në mënyrën se si të bëhet shpërndarja e përkrahjes për të rinjtë.