Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MKRS dhe UNICEFI do të vazhdojnë bashkëpunimin rreth platformës për njohjen e punës vullnetare

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot udhëheqësin e ri të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, të cilin e përgëzoi për detyrën.

Sipas njoftimit për media, ata biseduan rreth vazhdimit të bashkëpunimit të MKRS-së dhe UNICEF-it në krijimin e platformës për njohjen e punës vullnetare. Me këtë rast, ministri Gashi tha se “në këtë platformë janë regjistruar mbi 3000 vullnetarë dhe afër 100 OJQ. Duke parë suksesin e platformës për vullnetarë është paraparë edhe një platformë kundër ekstremizmit dhe radikalizmit”. Ndër të tjera ministri njoftoi udhëheqësin e UNICEF-it edhe për hapat që janë ndërmarrë nga ana e MKRS-së për përgatitjen e Strategjisë për rini, draftin e së cilit tashmë e ka të përfunduar.

“Realizimi i projekteve të përbashkëta me UNICEF-in konsiston edhe me politikat tona si Ministri dhe ky bashkëpunim ka sjellë sukses në aktivizimin e rinisë. Përmes realizimit të projekteve të tilla, ne po përmbushim edhe zotimet tona për përfaqësim të interesave të rinisë së vendit”, theksoi ndër të tjera ministri Gashi .

Në anën tjetër, udhëheqësi i ri i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, u shpreh i gatshëm për të vazhduar punën e përbashkët në mënyrë që ky bashkëpunim të ndikojë në realizimin e projekteve në fuqizim të rinisë së Kosovës.