Arbëri

Mjekët nga diaspora që vijnë në Kosovë do të paguhen si vendorët

Profesionistët shëndetësorë, të cilët konsiderohen pjesëtarë të diasporës e që me kërkesë të institucioneve shëndetësore do të angazhohen përkohësisht në Kosovë, do të paguhen sa punëtorët shëndetësorë vendorë, për kohën që punojnë në vendlindje, ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, në të cilën u vendos që të lehtësohen procedurat për pajisje me licencë pune në Kosovë për mjekët nga diaspora.

“Nëse kthehen tash për tash do të jenë sikur të tjerët (pagat), sikurse unë, sikurse çdo mjek tjetër”, ka thënë ai.

Megjithatë, Latifi ka paralajmëruar edhe pako të ndryshme stimulimi për mjekët nga diaspora.

“Nëse dikush vjen, ekspert i madh, ose vjen për të qenë shef i një institucioni, duhet të bisedojmë në formë tjetër. Është me rëndësi tash për tash të vijnë si pjesë e stafit, apo si mënyrë vullnetare për një muaj, një javë apo dy javë. Kjo s’ka qenë e mundshme deri tash, por tash po”, ka thënë Latifi.

Sipas tij, do të bëhet analizë se për çfarë profile ka nevojë sistemi shëndetësor në Kosovë.