Pa kaluar as 24 orë nga raportimi i portalit Koha.net për gjendjen në të cilën ndodhej pacientja B. H., që po mjekohet në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale, mjekët janë vënë në lëvizje.
Ia kanë mbyllur plagën pa përdorur rrjetën, për të cilën pacientja pretendon se i kishin thënë që ta sigurojë, çmimi i secilës sillej në rreth 1200 euro.
Mbrëmë, drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, pranoi se nuk kishin rrjetë, megjithatë pas konsultimeve me mjekët përkatës tha se plaga nuk është mbyllur për shkak të infeksionit që kishte. Por sot, është thënë se plaga është mbyllur me një metodë tjetër, meqë nuk kishte nevojë për një material të tillë.
“Në lidhje me videon e postuar në media, ku shfaqet plaga e pacientes B. H. dhe konstatohet se kjo ka ardhur në mungesë të rrjetës kirurgjike, konsiliumi profesional i formuar nga drejtori i përgjithshëm i SHSKUK, në përbërje të kirurgëve abdominalë dhe anesteziologve, ka bërë raportin profesional, ku konstaton se gjendja, në të cilën është pacientja momentalisht në ambient me përmbajtje të madhe qelbi, nuk lejon vendosjen e rrjetës dyfaqësore dhe plaga nuk ka ndodhur në mungesë të rrjetës”, thuhet në sqarimin e sotëm për media.
“Ndërkohë, ekipet kujdestare në përbërje të kirurgëve abdominalë dhe kirurgëve plastikë kanë mbyllur plagën përmes metodës kirurgjike me vakum, e njohur si Metoda e Vakut, që nënkupton thithjen e përmbajtjeve të dëmshme. Ekipet mjekësore në vazhdimësi po monitorojnë gjendjen e pacientes”, thuhet më tej në njoftim.
Koha.net raportoi mbrëmë për pretendimin e pacientes se për një rrjetë, çmimi i së cilës sillet vetëm rreth 1 mijë e 200 euro, organet e brendshme i kanë mbetur jashtë.
Pamjet që janë shfaqur në një grup të mbyllur të rrjetit social Facebook për të bërë thirrje për grumbullimin e mjeteve të nevojshme për këtë material, të cilin ajo thotë se mjekët i kishin thënë se duhet ta sigurojë.
Këtu mund ta shihni videon e plotë. *Vërejtje: Pamje të rënda!