Qeveria në mbledhjen e 84-të ka miratuar Kodin e Proceduarës Penale.
Sipas një njoftimi nga qeveria, ky është “një tjetër veprim i rëndësishëm për ta përmbyllur infrastrukturën ligjore dhe në vijën e ndryshimit të legjislacionit penal të Republikës së Kosovës, e evidentuar si nevojë e ndryshimit dhe plotësimit të disa dispozitave, të cilat në Kodin aktual kanë paraqitur vështirësi në zbatimin e tyre”.
Qeveria thotë se në hartimin e Kodit të Procedurës Penale janë marr parasysh eliminimi i të gjitha mangësive, zbrazëtive dhe vështirësive të evidentuara gjatë zbatimit të Kodit aktual.
Në mbledhjen e sotme, qeveria është informuar edhe me gjendjen në Telekomin e Kosovës.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka prezantuar situatën dhe sfidat me të cilat është duke u përballur kjo kompani publike. “Në veçanti ka theksuar gjendjen me mungesën e shërbimeve të mirëmbajtjes së aparaturës së kompanisë, vëmendja institucionale dhe mungesa e ristrukturimit të kompanisë, janë disa nga sfidat që janë duke e pamundësuar edhe funksionalizimin e Telekomit”, thuhet në njoftim të qeverisë ku vazhdohet se kryeministri Raush Haradinaj ka theksuar se qeveria do të mbështesë Telekomin, por “ka theksuar se mbështetjet financiare nga buxheti, kjo Qeveri nuk i parapëlqen”.
Me këtë rast Haradinaj ka kërkuar që kabineti qeveritar të pranojë një analizë në një raport të shkruar nga menaxhmenti i kompanisë dhe gjithashtu ka kërkuar që të përpilohet një plan biznesi i qëndrueshëm, që do të paraqiste ide se si duhet të dilet nga kjo situatë.
Po sot, Qeveria ka themeluar Komitetin Ndërministror për përzgjedhjen e projektit në pajtim me Ligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Edhe
IKD-ja synon kriminalizimin e moszbatimit të vendimeve të Kushtetueses
“Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz do të realizohet sipas projektit që do të përzgjidhet pas një shpallje të hapur publike. Projekti duhet të përmbajë pjesën e varrezave, konservimin e kullave të rezistencës, bunkeri, objektin informativ, amfiteatrin veror dhe objektet tjera përcjellëse”, thuhet më tej në njoftim.
Është miratuar po ashtu edhe vendimi për organizimin dhe funksionimin e strukturave institucionale për të dhëna të hapura, “i cili ka për qëllim të ngritë transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike”.
“Hapja e të dhënave synon forcimin e qeverisjes së mirë dhe rritë besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe përforcon detyrimin e Qeverisë për të respektuar sundimin e ligjit dhe siguron një bazë transparente dhe të përgjegjshme për të përmirësuar vendimmarrjen dhe për të rritur ofrimin e shërbimeve publike. Vendimi obligon të gjitha ministritë dhe agjencitë vartëse të Qeverisë që të hapin të dhënat e tyre në përputhje me interesin publik dhe t’i publikojnë ato në portalin kombëtar për të dhëna të hapura, pa ndonjë pengesë ose kosto administrative”, thuhet në njoftimin zyrtar të qeverisë.