Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MINTI e zgjat edhe për 30 ditë masën për kufizimin e çmimeve të derivateve

MINTI

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka vendosur ta vazhdojë edhe për 30 ditë masën e përkohshme për rregullimin e çmimeve maksimale të derivateve, me synimin për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e çmimeve të arsyeshme në treg.

Sipas ministrisë, vendimi është marrë pas monitorimit të vazhdueshëm të tregut dhe analizës së të dhënave të Doganës së Kosovës, të cilat tregojnë se çmimet e importit të derivateve nuk kanë shënuar ulje. Gjithashtu, është konstatuar se lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen në tregun vendor kryesisht kur ato rriten, ndërsa uljet nuk përcillen plotësisht ose ndodhin me vonesë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me vendimin e ri, çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të llogaritet mbi bazën e çmimit mesatar të furnizimit të evidentuar nga Dogana, plus 2 eurocentë për litër. Ndërkaq, çmimi maksimal i shitjes me pakicë do të jetë plus 12 eurocentë për litër.

MINTI u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve që tregtojnë produkte të naftës t'i respektojnë çmimet maksimale të përcaktuara dhe të sigurojnë furnizim të rregullt të tregut.

Ministria njofton se zbatimi i vendimit do të mbikëqyret nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës.

Sipas MINTI-t, masa synon të mbrojë konsumatorët nga rritjet e pajustifikuara të çmimeve, të ruajë konkurrencën e ndershme dhe të garantojë funksionimin normal e transparent të tregut të derivateve të naftës.

“Subjektet që nuk e respektojnë vendimin do t'u nënshtrohen masave ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

MINTI vendosi të caktojë çmimet e derivateve në fillim të marsit, disa ditë pas shpërthimit të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Lufta reflektoi rritje të çmimeve të derivateve për shkak të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.