Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministrja e Jashtme gjermane nesër vjen për vizitë në Kosovë

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, do qëndrojë të enjten e të premten në Kosovë në kuadër të vizitës që ka nisur të mërkurën mbrëma, në Ballkanin Perëndimor dhe në Moldavi, ka shkruar DW-ja.

Vizitën në Ballkan do ta nisë në Sarajevë, kurse nga aty do të zbarkojë në Kosovë, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Alban Kurti, si dhe udhëheqësit e KFOR-it.

Të premten, Baerbock do të vijojë udhëtimin e saj për në Beograd e më pas në Moldavi.

Është hera e parë që ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Baerbock, i bën vizitë zyrtare Ballkanit Perëndimor.

Sipas DW-së, Qeveria aktuale gjermane është e para që i ka dhënë Ballkanit Perëndimor rëndësi qysh në marrëveshjen e koalicionit. Në fillim të marsit, Baerbock emëroi ish-deputetin e Partisë së Gjelbër, Manuel Sarrazin, si të ngarkuar special për Ballkanin Perëndimor, duke e forcuar kështu ekipin e saj për rajonin e Evropës Juglindore.

Gjatë vizitës së saj në Kosovë, Baerbock do të përurojë të premten, Parkun e Energjisë me Erë në Bajgorë, i cili është ngritur me mbështetjen e Gjermanisë dhe është investimi më i madh i huaj individual në Kosovë deri më sot.