Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministria me standarde të dyfishta për rrënimet në Batllavë

Për dallim nga e mërkura, kur Ministria e Mjedisit, me forca të shumta policore, e nisi rrënimin e objekteve përreth liqenit të Batllavës, të enjten janë parë vetëm disa pronarë duke i demoluar trasat.

Ndonëse Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ishte zotuar se do të vazhdojë me rrënimin e objekteve pa leje këtu në Liqenin e Batllavës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, me arsyetimin se pronarët e këtyre objekteve kanë kërkuar më shumë kohë.

Ministria thotë se nuk ka hequr dorë nga aksioni, të cilin zotohet se do ta vazhdojë të hënën, ani pse për pronarët, të cilëve ua rrënoi ndërtimet të mërkurën, përdori standarde tjera.

“Pronarët kanë kërkuar që t’u japim hapësirë edhe disa ditë për t’i larguar gjërat me vlerë. Nga MMPH-ja ka pasur vullnet që kjo t’u lejohet edhe tri ditët e ardhshme për t’i larguar gjërat që i konsiderojnë me vlerë pronarët e tyre. Nëse eventualisht ndonjëri nga këta që kanë premtuar, nuk e heq objektin, këtë do ta bëjë Inspektorati i MMPH-së dhe pronari i së njëjtës do të dërgohet në gjykatë, për t’u ballafaquar me pasojat”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhënë KTV-së.

Ministria e Mjedisit ka premtuar se përpos largimit të lokaleve, nuk do të lejojë as shfrytëzim të hapësirës për plazh.