Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministria e Mbrojtjes mohon se ka nderuar ushtarët e rënë serbë

Llogoja e FSK

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës i ka cilësuar të pavërteta reagimet e ndryshme në media se Togu i Gardës Ceremoniale të FSK-së më 11 nëntor ka nderuar ushtarët e rënë serbë nga viti 1912.

Më datën 11.11.2022, Togu i Gardës Ceremoniale dhe Orkestra Frymore e FSK-së, me ftesë të Ambasadës franceze dhe Ambasadës gjermane, kanë marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për të nderuar rënien e ushtarëve francezë dhe gjermanë gjatë Luftës së Parë Botërore, në periudhën 1914-1918.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, pllakat përkujtimore të të rënëve të këtyre dy kombeve janë të vendosura në një hapësirë të përbashkët me pllakën e të rënëve serbë të viteve 1912-1918, por që si ngjarje në periudhë kohore e as me aktivitetin në fjalë nuk kanë asnjë lidhje.

Tutje Ministria e Mbrojtjes thotë se pozicionimi fizik i gardistëve tanë është imponuar nga pozita e pllakave memoriale dhe platesë përkatëse, dhe në asnjë formë nuk nderohen të rënët serbë.