Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministria e Diasporës premton përkrahje për ruajtjen e trashëgëmisë kulturore arbëreshe

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike Dardan Gashi, ka vizituar arbëreshët e Zarës.

Gashi me kryetaren e Shoqatës së Arbreshëve të Zarës, Maximiljana Barančić, dhe anëtarët tjerë të komunitetit biseduan rreth fillimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes së Qeverisë së Kosovës për ndihmë të komunitetit arbëresh atje.

Ai u zotua për përkrahje të projekteve të shoqatës arbëreshe me qëllim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës arbëreshe në Zarë si dhe funksionalizimin e mëtejmë të shoqatës që ata drejtojnë.

Maximilijana u shpreh e lumtur për interesimin e Qeverisë së Kosovës, duke shtuar se gjuha e arbëreshëve të Zarës është në zhdukje e sipër, andaj sipas saj duhen iniciativa të përbashkëta dhe konkrete për t’u siguruar që kjo kulturë e lashtë dhe e veçantë, që mbijetoi më shumë se 350 vite, të vazhdoj të ruhet edhe nga gjeneratat e reja.

Lidhur me këtë, Ministria e Diasporës do të financoi disa projekte konkrete të cilat do të ndihmojnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe gjuhësore arbëreshe.

I pari i Ministrisë së Diasporës ftoi përfaqësuesit e komunitetit arbëresh të Zarës, që t’i bashkëngjiten manifestimeve për nder të Ditës së Arbëreshëve të Italisë që do të mbahen në fillim të Majit në Kosovë ku pritet të marrin pjesë përfaqësues nga rreth 50 komuna arbëreshe të Italisë.