Arbëri

Ministri Vitia zotohet se s’do ta firmosë tenderin për insulina pa certifikatë cilësie

Beteja mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit për tenderin e blerjes së insulinave ende nuk ka përfunduar. Përderisa Ministria qartazi ka njoftuar se nuk do të zbatojë vendimet e këtij institucioni ku lihet mundësia që të blihen barnat pa certifikata të cilësisë, OSHP-ja ka në dorë edhe lëndën për furnizim emergjent me insulina. Vendimi ende nuk është marrë, por ekspertiza rekomandon anulimin e tenderit. E ministri Arben Vitia ka dhënë sinjale që mungesa nuk do të ketë, por as vendimet e OSHP-së që parashohin barna pa cilësi nuk do të respektohen.

Rreth 16 mijë pacientë me diabet, jeta e të cilëve është e varur nga insulina, rrezikojnë të mbesin pa këtë produkt esencial.

Kjo, për shkakun se një betejë tashmë dyvjeçare mes Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe Ministrisë së Shëndetësisë për blerjen e insulinave me apo pa Autorizim Marketingu ende nuk ka marrë fund.

OSHP-ja i ka dhënë disa herë të drejtë një kompanie farmaceutike që nuk ka Autorizim Marketingu. Autorizim Marketingu është dokument që përcakton sigurinë, efikasitetin dhe cilësinë e barit.

E Ministria e Shëndetësisë ka refuzuar vazhdimisht t’i zbatojë vendimet e OSHP-së që sipas tyre bien ndesh me kualitetin e barnave në treg të Kosovës. Vendimin e fundit e ka atakuar në gjykatë, por të dy shkallët e kanë hedhur me arsyetimin që vendimi i OSHP-së nuk është akt administrativ përfundimtar, andaj nuk lejohet padia.

Përderisa beteja për tenderin e rregullt është duke vazhduar, Ministria e Shëndetësisë ka hapur tender emergjent për insulina. Në këtë tender kushti kryesor është certifikata e cilësisë së produktit.

Por ekspertiza e ekspertit të OSHP-së ka rekomanduar anulimin e tenderit emergjent, gjë që mund të rrezikojë furnizimin. Vendimi nga Bordi i OSHP-së ende nuk është marrë.

Ekspertiza përveçqë kërkon anulimin e tenderit, kërkon edhe pezullimin e licencës së zyrtarit të prokurimit të MSH-së.

“Aprovohet, ankesa si e bazuar dhe të urdhërohet Autoriteti Kontraktues Ministria e Shëndetësisë që ta anuloje Kontratën e nënshkruar për procedurën emergjente pa publikim të njoftimit për kontratë dhe të urdhërohet të zbatojë vendimin e OSHP-së nr. 596/22 të datës 21.12.2022. Po ashtu të kërkohet nga KRPP-ja që të revokohet Certifikata e prokurimit ndaj zv. të Udhëheqësit në Divizionin e Prokurimit z. Berat Marmullaki, i cili edhe pas vërejtjes me shkrim të marrë nga KRPP-ja, vazhdon edhe më tutje me shkelje të Ligjit të prokurimit publik”, thuhet në ekspertizë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se për këtë proces nuk është i rëndësishëm vetëm furnizimi me këtë produkt, por edhe rreziku për krijimin e një precedenti të rrezikshëm në tregun farmaceutik.

“Gjatë kësaj rruge ka pasur mendime të ndryshme të cilat brenda hapësirës ligjore ne jemi përpjekur t’i kontestojmë në emër të ligjshmërisë dhe cilësisë së produkteve dhe ashtu do të vazhdojmë ta bëjmë të njëjtën gjë, sepse në fund të fundit ky është obligim i yni si Ministri e Shëndetësisë që në njërën anë të përkujdesemi që të kenë produktet farmaceutike të disponueshme, në këtë rast insulinat, e në anën tjetër të kenë këto produkte farmaceutike të garantuara”, ka theksuar Vitia.

Ai ka dhënë sinjale që nuk do të nënshkruajë çfarëdo kontrate për blerjen e barnave, nëse ato barna nuk do të kenë Autorizim Marketingu.

“Fillimi i një kontrate deri në nënshkrimin e saj është një rrugë goxha e gjatë dhe OSHP-ja në këtë rast mendoj që duhet, që pavarësisht në cilën fazë është bërë gabimi, të thuhet që është bërë gabimi dhe ta gjykojë, por jo të japë rekomandime që ndonjëherë mendoj që janë jashtë pjesës së kompetencave të disa institucioneve që japin”, është shprehur Vitia.

Detyrimi për Autorizim Marketingu është i përfshirë në Ligjin për Produkte dhe Pajisje Mjekësore. Ky ligj është kryesori që e rregullon fushën e barnave në Kosovë.