Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në konferencën pas mbledhjes ka thënë se është i shqetësuar me situatën rreth tenderit për insulina, pas insistimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit që të procedohet tenderi për insulina, pavarësisht se kompania fituese s’i ka garancitë e cilësisë për produktin që përdoret për trajtimin e diabetit.
Në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë ku u vendos që t’i rekomandohet Kuvendit shkarkimi i anëtares së OSHP-së, Kimete Gashi, Vitia ka akuzuar OSHP-në dhe Prokurorinë për presion për ta nënshkruar kontratën..
“Shprehim shqetësimin tonë për një situatë e cila rrezikon në mënyrë shumë substanciale shëndetin publik. E këtu kemi të bëjmë me tenderin për insulina një tender që është hapur më 2020. Është betejë për ligjshmërinë, për ruajtjen e shëndetit publik. MSH-ja shpreh shqetësimin në lidhje me presionin e paligjshëm të OSHP-së për furnizim me insulina. OSHP-ja dhe Prokuroria kanë ndëmarrë veprime të koordinuara për të bërë presion mbi Ministrinë e Shëndetësisë, që kontrata t’i nënshkruhet një operatori i cili nuk ka, madje as nuk ka aplikuar, deri më tani për autorizim-marketing, i cili është obligativ sipas Ligjit për pajisje dhe produkte medicinale”, ka thënë Vitia në konferencën për media.
Ai ka njoftuar se urdhëresës së OSHP-së për këtë vendim, MSH-ja ka kundërshtuar nëpërmjet padive.
Vitia po ashtu ka thënë se gjendet para dy zgjedhjeve, por ka shtuar se në të dyja opsionet do të ndiqet penalisht.
“Ne nuk mund të pranojmë që të hyjnë barna të paregjistruara. Unë jam para dy zgjedhjeve ta bëj nënshkrimin si ka kërkuar, ku pastaj unë vet edhe në aspektin moral edhe ligjor do të jem i përndjekur se kam shkelur ligjin. Nëse e nënshkruaj do të ndiqem nëse nuk e nënshkruaj do të ndiqem”, ka shtuar ai.
Vitia i ka bërë thirrje OSHP-së “që të qëndrojë brenda sferës së rolit të vet që e ka”.
“Ka tejkaluar mandatin e saj, po bën presion në MSH për diçka që është e paligjshme. Çdo herë ka qenë një tension në brengë e gjithë Ministrisë në vazhdimësinë e sigurimit të insulinave. Ne i kemi marrë edhe më herët, të gjitha masat do t’i ndërmarrim të gjitha masat që qytetarët të mos mbesin pa insulina”, ka thënë Vitia.
“S’është betejë sa është një presion... Përveç motiveve të panjohura për neve vë në lajthitje të gjithë procesin sikur sjell në vëmendje se ka një arsye pse nuk është duke u nënshkruar”, ka deklaruar ai.
KOHA ka raportuar në vazhdimësi se si Ministria e Shëndetësisë ka refuzuar për afro dy vjet nënshkrimin e tenderit për insulina me arsyetimin se kompania fituese nuk ka garancitë e cilësisë për këtë produkt. Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka dhënë vazhdimisht të drejtë kompanisë farmaceutike që nuk e ka certifikatën e cilësisë dhe të sigurisë së barit. Në rastin më të fundit, të fundit të prillit, OSHP-ja pas orarit të punës i ka dërguar urdhëresë Ministrisë së Shëndetësisë që të procedojë me këtë tender. E për këtë, OSHP-ja i dha Ministrisë pesë ditë afat, i cili përfundon këtë të mërkurë. Ky tender është hapur në fundin e vitit 2020, kur ministër ishte Armend Zemaj e sekretar i atëhershëm Ardian Mehmetaj. Prej viti 2021, menaxherët aktualë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë kërkuar që ky tender të anulohet e më pas, në një tender të ri të aplikojnë kompanitë që kanë Autorizim Marketingu.
Në fillim të majit, KOHA po ashtu raportoi për nisjen e hetimeve nga prokuroritë për këmbëngulësinë e MSH-së për të mos nënshkruar tenderin.