Ministri i Diasporës, Valon Murati, me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, ka uruar mësimdhënësit e diasporës.
Murati i ka falënderuar “me gjithë zemër për përkushtimin tuaj të jashtëzakonshëm për të mbajtur gjallë mësimin e gjuhës shqipe te fëmijët tanë në diasporë”.
“Puna dhe përkushtimi juaj i pashoq është kontribut i jashtëzakonshëm për të ardhmen e fëmijëve dhe atdheut tonë të përbashkët. Ne ju jemi shumë mirënjohës për atdhedashurinë tuaj, të cilën e dëshmoni duke u mësuar fëmijëve gjuhën shqipe, përmes së cilës ata rriten duke e ruajtur identitetin kombëtar”, ka thënë ndër të tjera Murati.
Duke i uruar për 7 Marsin, ministri Murati ka thënë se vlerëson edhe “bashkëpunimin tuaj me institucionet e Republikës së Kosovës, duke ju siguruar përkushtimin tonë që të jemi edhe më pranë rrugëtimit tuaj fisnik”.