Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në Vlorë është shprehur se nuk ka asnjë informacion se kryetari i PD, është kërcënuar.
“Takime me truproja të Gardës kam pasur, kjo është puna ime e përditshme. Letra e Gazmend Bardhit më ka ardhur, por ende nuk e kam lexuar. Përsëri shprehem se nuk kam asnjë informacion që Lulzim Basha të jetë kërcënuar. Puna për zgjedhjet e 30 qershorit po vazhdon. Ka disa kryetarë bashkie e individë që duan të pengojnë zgjedhjet, por nuk e arrijnë dot, pasi çdo gjë është kushtetuese. Kryetaret e bashkisë dhe individët duhet ta heqin nga mendja fjalën dhunë. Procesi zgjedhor do të vijojë pavarësisht tensioneve. Kush mundohet të pengojë procesin zgjedhor do të përballet me forcën e ligjit”, theksoi ministri.
Ministri Lleshaj më tej, u shpreh edhe në lidhje me kultivimin e lëndëve narkotike, në rajonin e Vlorës. Lleshaj tha se masat ndëshkimore, perveç kultivuesve, do të jenë edhe për personat që nuk njoftojnë në kohë për aktivitetet e paligjshme.
“Normalisht që jam në dijeni rreth kontrolleve të njëpasnjëshme në Selenicë dhe fshatrat e lumit të Vlorës për kultivimin e lëndës narkotike dhe kanabis-sativës , këto janë pjesë e punës sonë dhe do të vijoj të ketë kontrolle. Që prej datës 15 qershor nëse kapen lëndë të kultivuara kanabis jo vetëm në njësinë administrative Selenicë por në çdo njësi administrative të vendit do të merren masa jo vetëm për kultivuesin por edhe për autoritetet e tjera të cilët nuk kanë njoftuar më parë për këtë aktivitet të paligjshëm”, tha Lleshaj./abcnews.