Ministria e Shëndetësisë ka shënuar progres në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit, ku nga 27 rekomandime që kishte pasur në vitin 2017, për vitin 2018 ka marrë vetëm 8 rekomandime.
Këtë e ka thënë ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, i cili lidhur me këtë raport ka mbajtur një konferencë për media. Sipas tij, raporti për ministrinë që e drejton është përmirësuar dukshëm dhe ka shënuar progres.
“Kur kam ardhur si ministër kemi gjetur një situatë kaotike dhe shumë shqetësuese dhe këtë e dëshmon raporti i auditorit. Nga gjetjet më të rënda kanë qenë blerja e barnave me çmime abuzive. Jemi zotuar të bëjmë ndryshime rrënjësore dhe jam krenar sot që numrin e rekomandimeve kemi arritur ta zvogëlojmë në 8 nga 27. Raporti është përmirësuar dukshëm”, ka thënë ai. “Blerja e barnave me çmime abuzive, raporti i vitit 2018 tregon që barnat janë blerë me çmime referente. Keqmenaxhimet e subvencioneve për OJQ, kemi identifikuar të gjitha çështjet dhe i gjithë cikli është përmirësuar. Raporti i auditorit i vitit 2017 ka pasur vërejtje të mëdha, por ne kemi arritur që t’i trajtojmë të gjitha. Korrupsioni nuk bën dëme më shumë askund sesa në shëndetësi. Dëmton xhepat e qytetarëve tanë”.
Në anën tjetër, drejtoresha e USAID-it, Lisa Magno, ka thënë se reforma në sektorin e shëndetësisë ka qenë e domosdoshme.
"Unë do të shprehja këtu bindjen time se shëndetësia me arsimin janë shërbimet më të rëndësishme që një qeveri mund t’iu ofroj qytetarëve të saj. Asgjë nuk e përforcon më tepër ndjenjën e mirëqenies tek qytetarët sesa kur një anëtar i sëmurë i familjes mund të merr shërbimin. Se medikamentet me çmime të arsyeshme janë të disponueshme dhe se mjekët mund të ofrojnë shërbimet më të mira për pacientët. Një gjë e tillë është e mundur vetëm me një ministri të shëndetësisë që mirëqenien e qytetarëve e vë mbi të gjitha të tjera. Përmirësimet dramatike në sektorin e shëndetësisë dhe reformat kanë qenë të domosdoshme. Dhe USAID ka kënaqësinë që të vë theksin në përparimin e madh që kanë bërë ministria e Shëndetësisë. Suksesi më i madh është udhëzimi administrativ për blerjen e pajisjeve mjekësore dhe medikamenteve me çmime standarde”, ka thënë ajo, raporton KP.