Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqyri Bytyqi, me rastin e 5 tetorit- Ditës Botërore të mësuesit, ka uruar mësimdhënësit kosovarë, duke u zotuar se do të krijojnë mundësi të reja që mësuesit të jenë në nivel të detyrës.
Në vazhdim, urimi i ministrit Bytyqi drejtuar mësuesve në Ditën e tyre:
Sot, në Ditën Botërore të Mësuesit, kujtojmë gjithë rrugëtimin e mësuesve tanë në zhdukjen e analfabetizmit, në arritjen deri te liria, në bërjen e shtetit të Kosovës.
Pra, roli i mësuesit është gjithmonë më i rëndësishmi! Profesioni i mësuesit është i shenjtë!
Dhe, kjo ditë që shënohet në mbarë botën për ta vënë në vëmendjen tonë rolin e mësuesit, Kosovën e gjeti me një risi, pikërisht që ka të bëjë me ngritjen në karrierë të mësuesve. Para pak ditësh filloi procesi i Vlerësimit të performancës së mësimdhënësve.
Ne zotohemi se do të krijojmë gjithmonë mundësi të reja, që mësuesit tanë të jenë gjithmonë të përgatitur dhe në nivelin e detyrës! – përfundon urimi.