Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës, Vesel Krasniqi, priti sot ministrin e Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosin, bashkë me ambasadorin e këtij shteti në Prishtinë, Qemal Minxhozi dhe kryetarët e komunave të Vlorës, Dritan Leli dhe atë të Lezhës Pjerin Ndreu.
Ministri Krasniqi tha se diskutuan për një paketë të përbashkët turistike në mes Kosovës dhe Shqipërisë, që vera të kalohet në Shqipëri dhe dimri në Kosovë.
Ministri tha se të dyja palët u pajtuan që të kemi një bashkëpunim në fushën e turizmit dhe t’i shfrytëzojmë bukurit e Kosovës dhe Shqipërisë.
“Sot, në takimin e përbashkët, diskutuam lidhur me turizmin dhe mundësit e një bashkëpunimi në ta ardhmen. U dakorduam në një të ardhme të afërt të bëjmë hapjen sezonale të verës në Shqipëri dhe diku nga fundi i tetorit apo fillim të nëntorit të bëjmë hapjen e sezonës së turizmit dimëror në Kosovë. Të dyja palët u dakorduam që ta krijojmë një platformë të përbashkët të pikave turistike të të dyja vendeve. Ne jemi një komb dhe kemi shumë të përbashkëta dhe të gjitha pikat turistike do të t’i kemi të përbashkëta”, tha ministri Krasniqi.
Ndërsa ministri Klosi tha se deti shqiptar është i gjithë shqiptarisë dhe bukuritë natyrore e trashëgimia kulturore e Kosovës dhe Shqipërisë do të jenë në një pako të përbashkët.
“Si një degë e re e ekonomisë dhe një promotor i jashtëzakonshëm, deti shqiptar është i gjithë shqiptarisë. Alpet i kemi të përbashkëta, bukuritë natyrore dhe trashëgimitë kulturore i kemi të përbashkëta dhe si e tillë do të jetë një ofertë e përbashkët turistike edhe në kohën problematike të pandemisë. Me kolegun Krasniqi diskutuam për të pasur një ofertë të përbashkët turistike, e cila i ofrohet jo vetëm turistit të ashtuquajtur patriotik, një turizëm i cili nuk ka nevojë të promovohet, por ka nevojë vetëm të ofrohet”, tha ministri Klosi.
-
Kosova dhe Shqipëria diskutojnë për promovimin e turizmit dhe heqjen e taksës në Rrugën e Kombit
-
Shqipëria me moton turistike “Pusho shqip”
-
Klosi: Të bashkërendojmë turizmin për 12 muaj në Kosovë e Shqipëri
-
Shqipëria pret 1 milion turistë në muajin gusht
-
Shqipëria e Serbia pajtohen të thellojnë bashkëpunimin