Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, i cili gjendet në arrati, ka gjetur mbrojtje nga shteti serb.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Miftaraj ka thënë se në takimin që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq zhvilloi të dielën me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Beograd, krah tij ka qenë edhe Radojçiq.
Me këtë rast, ai ka thënë se Bashkimi Evropian nuk mund t’i mbyllin sytë dhe të tolerojnë që Serbia t’i mbrojë figurat që lidhen me krimin e organizuar dhe që kërkohen për kryerjen e veprave penale në Kosovë.
“Radoiçiq prapë në takim krah për krah me Vuçiqin. Radojçiq i kërkuar për vepra penale që lidhen me vrasjet e serbëve në Kosovë dhe vepra tjera penale që mund të lidhen me krimin e organizuar, gjen mbrojtje dhe imunitet nga shteti serb. Bashkimi Evropian, Borell, Komisioni Evropian nuk munden mi mbyll sytë dhe me toleru që Serbia të kthehet ne parajsë të krimineleve që kryejnë vepra penale në Kosovë”, ka shkruar Miftaraj.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është takuar të dielën me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në Beograd. Ai i ka mbledhur ata për të diskutuar rreth bisedimeve të mbajtura të enjten në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Më pas, Vuçiqi do të mbajë fjalimin e paralajmëruar nga e enjtja.