Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Miftaraj: Deklarata e ministres Haxhiu është e tepruar

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se deklaratat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për mosreagim të shoqërisë civile dhe mediave pas audioinçizimeve të dala në media, është e pavend dhe e tepruar.

Miftaraj thotë se ekzekutivi dhe legjislativi nuk mund të japin urdhra se si të funksionojë pushteti i katër, siç është media.

‘’IKD-ja nga dita e premte kur kanë dalë përgjimet ka raportuar për këto audioinçizime. Ka filluar menjëherë me hulumtimin e kësaj çështje. Kemi dërguar pyetje në institucionet përkatëse. IKD-ja përmes platformës ‘’Betimi për Drejtësi’’ ka raportuar se kanë filluar hetimet nga Prokuroria pothuajse në ditën e njëjtë kur kanë dalë përgjimet. Nuk duam t’i marrim personale deklaratat e ministres Haxhiu. Deklarata e ministres ka qenë shumë e pavend, e tepruar. As legjislativi, as ekzekutivi, nuk i jep urdhra pushtetit të katërt, medias, se si duhet të reagojë në raste të caktuara’’, ka thënë Miftaraj në ‘’Interaktiv’’ të KTV-së.

Megjithatë, i pari i IKD-së shton se ky skandal nuk është i përmasave të jashtëzakonshme në këto vitet e fundit.

‘’E vërtetë që përgjimet që dolën në ditët e fundit janë skandale të mëdha. Nuk është skandal i përmasave të jashtëzakonshme në këto katër-pesë vitet e fundit. ‘’Betimi për Drejtësi’’, IKD-ja dhe ‘’Kohavisioni’’ kanë bërë hulumtime më të mëdha për jurispodencën e shtetit, por atëherë nuk ka pasur reagim nga akterët e drejtësisë’’, deklaroi ai.

Për mos-reagimin e asnjë shoqërie civile pasi dolën përgjimet, Miftaraj thotë se nuk ka pasur asnjë iniciativë nga ndonjë organizatë.

‘’Nuk ka pasur asnjë iniciativë nga ndonjë organizatë joqeveritare. IKD-ja me ‘’Betimin për Drejtësi’’ ka raportuar nga dita e parë. E kemi trajtuar me seriozitet këtë çështje. Mund të themi që jemi e vetmja organizatë joqeveritare që kemi folur për të gjitha mediat’’, potencoi ai.

 

Artikuj të ngjashëm