Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Mici” dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Ozdrim të Pejës

Mici

Foto: Driton Paçarada

Është shpallur fajtor dhe është dënuar me 10 vjet burgim për krime lufte, Millorad Gjokoviq i njohur me nofkën “Mici”. Ai akuzohej për krime lufte në Ozdrim të Pejës, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, më 7 maj të vitit 1999.

Kryetarja e trupit gjykues, Donikë Shala Abdyli ka thënë se është vërtetuar që i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Ajo ka shtuar se provat e administruara nuk kanë arritur të dëshmojnë se i akuzuari ka marrë pjesë në vrasjen e civilëve.

Gjokoviq akuzohej se gjatë viteve 1998-1999, në fshatin Ozdrim të Pejës dhe zonat përreth, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasje, tortura, arrestime, maltretime, dëbime dhe akte të tjera çnjerëzore ndaj civilëve shqiptarë.

Ai akuzohej gjithashtu për plaçkitje, djegie dhe shkatërrim të pronës së popullsisë civile. Sipas aktakuzës, gjatë ofensivës në Ozdrim janë vrarë gjashtë civilë shqiptarë, tre të plagosur janë ekzekutuar pasi ishin trajtuar në spital, ndërsa pesë persona vazhdojnë të jenë edhe sot të zhdukur.

Procesi gjyqësor ndaj Gjokoviqit nisi më 20 korrik të vitit 2023.