Pasi që para dy javësh qëndroi për vizitë në tri shtete të Ballkanit Perëndimor, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, pritet që javën e ardhshme të vizitojë edhe tri shtetet e tjera të rajonit, përfshirë Kosovën.
Ai në Kosovë pritet që të qëndrojë më 14 dhe 15 qershor, kanë konfirmuar burime evropiane në Bruksel. Në kuadër të vizitës, Michel do të qëndrojë më 15 qershor edhe në Maqedoninë e Veriut, teksa do të vizitojë edhe Malin e Zi, me ç’rast pritet që ta shpalosë idenë e tij për krijimin e një “Bashkësie Gjeopolitike Evropiane”, si dhe të flasë rreth takimit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, më 23 qershor.
Sipas burimeve evropiane, Michel gjatë këtyre vizitave do të zhvillojë bisedime me liderët e vendeve të rajonit për raportet e tyre me BE-në, për situatën në rajon pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe për ndikimin që ajo mund të ketë në rajon. Temë e diskutimeve, sipas burimeve, do të jetë edhe përballja e përbashkët me sfidat rreth sigurisë dhe furnizimit me energji elektrike, si dhe me ushqime dhe rreth mbështetjes për rajonin në atë që quhet rrugëtim evropian.
Pritet që Michel, ashtu sikurse kishte bërë gjatë vizitave të mëhershme në rajon - në Tiranë, Beograd dhe Sarajevë – të shfrytëzojë qëndrimin për ta sqaruar idenë e tij rreth “Bashkësie gjeostrategjike evropiane”, në kuadër të së cilës do të ishin së bashku vendet e BE-së dhe vendet e tjera evropiane që nuk janë pjesë e bllokut, por që duan t’i ndajnë vlerat e përbashkëta.
Michel lidhur me këtë është duke zhvilluar konsultime me liderët e vendeve anëtare të BE-së, disa prej të cilave kanë dalë me vetë idetë e tyre për “integrim gradual të vendeve të rajonit në politikat e BE-së”.
Presidenti i KE-së, ngjashëm sikurse presidenti i Francës, Emanuel Macron, propozon që të formohet një kornizë përbrenda së cilës do të bashkëvepronin vendet e BE-së dhe ato shtete evropiane që ende nuk janë anëtare formale. Kjo ngase për anëtarësimin në BE shumë vende të rajonit do të duhej që të kalonin disa vjet apo mbase edhe dekada. E kërkesat për anëtarësim i kanë dorëzuar tashmë vendet si Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Por ka edhe dyshime ndaj këtyre nismave, ngase mund të jenë një shkëputje e vëmendjes nga procesi i zgjerimit, i cili ka për qëllim anëtarësimin formal në BE dhe krijimin e alternativës për këtë.
Mirëpo Michel, gjatë kohës sa ishte në Beograd, Tiranë dhe në Sarajevë, ka thënë se ideja në asnjë mënyrë nuk ka për qëllim që të zëvendësojë procesin e tashëm të zgjerimit dhe as të shërbejë si një argument për vonesa të reja në këtë proces. Për të dëshmuar këtë, Michel kishte mbështetur edhe nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë pritet që të jetë në qendër të diskutimeve që shefi i Këshillit Evropian do të ketë në Prishtinë. BE-ja vazhdimisht ka kërkuar që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në kuadër të procesit të dialogut dhe që ato të bëjnë përparime konkrete edhe drejt një marrëveshjeje përfundimtare e gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve midis tyre.