Arbëri

MI-ja e Komuna e Lipjanit nisin projektin e rrugës Lluga-Radevë

Ministria e Infrastrukturës në bashkëpunim me Komunën e Lipjanit kanë nisur realizimin e projektit të rrugës 3.5 kilometra që lidh fshatin Lluga të Lipjanit dhe fshatin Radevë të komunës së Graçanicës.

Ky projekt ishte projektuar dhe buthtuar disa vjet më parë, mirëpo deri tashti nuk është realizuar, raporton KOHA.

Kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti, ka thënë se kjo rrugë është shumë e rëndësishme për banorët e disa fshatrave duke u nisur nga Dobraja e Madhe, Dobraja e Vogël, Gllanica, Lluga e të tjera.

“Është një rrugë jashtëzakonisht e kërkueshme dhe e rëndësishme për qarkullimin e qytetarëve në këtë regjion. Rruga me gjatësi prej 3500 metra dhe e gjerë prej pesë metra, sipas planit dinamik pritet të përfundoi vitin e ardhshëm. Ky projekt ka kushtuar rreth 200 mijë eurosh dhe financohet nga ministria e infrastrukturës”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, projektin dhe kontraktimin e ka bërë komuna, ndërkaq mbikëqyrjen e kanë së bashku me ministrinë e Infrastrukturës.

“Ky projekt është bërë prej gjashtë vitesh, ndërkohë projekti ka qenë i buxhetuar në vitin 2017 dhe 2018 mirëpo nuk është implementuar deri tash, andaj këtë vit është mirë që së bashku me MI-në po e implementojmë”, ka shtuar Ahmeti.