Arbëri

Meta flet për raportet me Greqinë, kujton edhe ish-kryeministrin serb Gjingjiq

Kreu i Kuvendit në detyrë, presidenti i zgjedhur i Shqipërisë, Ilir Meta në një intervistë për televizionin grek “Star” ka folur për marrëdhëniet greko-shqiptare.

Ai ka thënë se si politikan, por edhe për forcën politike që unë ka themeluar dhe drejtuar ka vetëm tre tabu: stabiliteti i Shqipërisë, marrëdhëniet e ngushta me fqinjët dhe stabiliteti i rajonit, dhe e treta, integrimi evropian.

“Dhe të tre këto tabu janë të lidhura fort me njëra tjetrën dhe me stabilitetin dhe prosperitetin e Shqipërisë. Unë e kam provuar këtë gjatë gjithë jetës sime si politikan edhe në marrëdhëniet me Greqinë ku kam qenë gjithnjë një partner tepër i qëndrueshëm dhe bashkëpunues. Marrëdhëniet me Greqinë janë tepër jetike për Shqipërinë, por edhe me gjithë vendet e tjerat të rajonit përfshi edhe Serbinë, marrëdhëniet e mia me ish-kryeministrin Gjingjiq, kur kemi qenë të dy kryeministra në vitin 2000, kanë hapur një faqe të re, pavarësisht se ajo u ndërpre për shkak të vdekjes së tij dhe në gjithë aktivitetin tim unë gjithmonë kam punuar që Shqipëria të jetë një faktor i stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon sepse kjo është jetikë për të gjithë ne”, ka thënë Meta, përcjell Koha.net.

Meta ka shtuar tutje se në këtë botë të globalizuar nuk konkurrohet më midis vendeve fqinje me njëra-tjetrën, por midis rajoneve të ndryshme të botës.

“Kështu që ne jemi një rajon shumë i vogël, për të mos bashkëpunuar ngushtë në mënyrë që të jemi më të qëndrueshëm dhe më tërheqës edhe për investimet e huaja, por dhe për gjithçka tjetër qoftë dhe turizmin meqenëse jemi në një sezon të tillë”, ka thënë Meta për televizionin grek.

Marrëdhëniet me Greqinë pastaj janë diçka krejt tjetër, sipas të parit të shqiptarëve. Siç ka thënë nuk janë thjesht marrëdhënie si me të gjithë fqinjët e tjerë, janë marrëdhënie tepër jetike sepse janë marrëdhënie tashmë dhe njerëzore.

“Ne kemi me mijëra familje të përbashkëta greko-shqiptare të krijuara në këto 27 vjet, ku fëmijët një motër mund të deklarohet greke, vëllai mund të deklarohet shqiptar. Është një lidhje kaq e fortë dhe kaq e fuqishme njerëzore sa çdo tentativë për të instrumentalizuar këto marrëdhënie në kurriz të miqësisë, të bashkëpunimit është jo vetëm diletante, por edhe asgjësuese për çdo politikan”, ka thënë Meta.