Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Meta e Rama disa fjalë për Demaçin

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama, kanë shkruar pas vdekjes së Adem Demaçit.

“Jam thellësisht i hidhëruar nga lajmi i ndarjes nga jeta të emblemës së qëndresës shqiptare, Adem Demaçi. Kosova dhe mbarë shqiptarët përjetojnë sot me dhimbje të thellë humbjen e simbolit të rezistencës kombëtare, të luftës për liri dhe të një prej personaliteteve më të vlerësuara në arenën botërore. Duke u nderuar me çmimin “Sakharov” nga Parlamenti Evropian, kauza e madhe e luftës për një Kosovë të lirë fitoi përmasat e një çështjeje ndërkombëtare të shtruar për zgjidhje. Patrioti Adem Demaçi mbetet frymëzim për të gjitha brezat e shqiptarëve, një shembull dhe një model kombëtar i skalitur në historinë e shqiptarëve dhe të luftës kombëtare për pavarësinë e Kosovës. Sot humbëm atdhetarin e flaktë, njeriun që mbajti gjallë shpresën e së ardhmes dhe idealin e pavarësisë së Kosovës. I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e tij!”, ka shkruar Meta.

Ndërkaq, Rama ka shkruar se Demaçi, iku nga kjo botë si zotëri që i tha të gjitha.

“Me vdekjen e Adem Demaçit mbyllet historia e jashtëzakonshme e një rebeli të llojit më të rrallë; shqiptar i llojit më të mirë, burrë i llojit më të veçantë, mik i llojit më të lartë?Pas një jete prej stuhie pambarim, ai u tret ngadalë e iku si zotnia që i tha të gjitha #RESPEKT”, ka shkruar Rama.

Artikuj të ngjashëm