Mësimdhënësja në shkollën “Ismail Qemali”, Festime Sijarina-Luta, ka thënë se asnjëra qeveri nuk e ka pasur në prioritet arsimin.
Sipas saj, si pasojë e kësaj, arsimi gjithmonë ka qenë sektori më i kritikuar.
Ajo ka thënë se mungon infrastruktura moderne në shkolla.
“Materialet mësimore që sa kohë nuk përputhen me programet mësimore dhe kjo ndikon në cilësinë në arsim. Në strategjinë e SBASHK-ut duhet të bashkëngjiten edhe vështirësitë tjera përveç pagës. Nëse SBASHK-u në strategjinë e vet rreth grevës do t’i trajtonte këto vështirësi, secili prindi do ta mbështeste grevën e mësimdhënësve. Nuk mund ta kemi mbështetjen e prindërve sepse fëmijëve u është shkaktuar shumë dëm”, ka thënë ai.
Sipas saj, aktualisht vendi gjendet në një diskurs të papërballueshëm i cili është krijuar nga Qeveria dhe SBASHK-u.
Ajo ka shtuar se një gjë e tillë është e papranueshme.
Ka shtuar se nuk ka mbetur rrugë tjetër veçse të fillojë mësimi, duke shtuar se në mesin e dy kryeneçësive, mësimdhënësit duhet të zgjedhin nxënësin.
Sipas saj, presion për secilin mësimdhënës është vet fakti që nuk janë në punë.
“Të dyja palët duhet të ulen dhe t’i zgjedhin problemet. Fëmijët janë në mes dhe të ndjehesh krenar në këto momente nuk është ndonjë vlerë. Mësimi duhet të fillojë. Ne nuk mund të shkojmë deri në pafundësi”, ka thënë ajo.
Mësimdhënësja Festime Sijarina – Luta, ka thënë se asnjëherë nuk ka qenë as e shantazhuar e as kërcënuar për mendimet ndryshe të saj.
Ajo ndërkohë ka thënë se ka sinjale që greva në shkollën “Ismail Qemaili” do të ndërpritet.
“Ka sinjale se do të ndërpritet greva. Nuk e di për këtë s’jam kompetente. Por, ka sinjale e përkushtim për të vazhduar me marrëveshje, por pa hequr dorë nga kërkesat e parashtruara. Adresimi i kërkesave do të vazhdoj mëtutje, e beson se SBASHK-u do të riorganizohet e do t’i trajtojë kërkesat në një strategi më të mirë, e të përfshijë në vete edhe prindërit”, ka thënë Sijarina-Luta.