Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, imzot Dodë Gjergji, ka udhëhequr të dielën meshën e Ditës së Pashkëve duke pranuar se sivjet kjo kremte dallon nga ajo e viteve të mëparshme, pasi mungojnë takimet fizike mes besimtarëve, ku dashuria përjetohet me emocion, transmeton KOHA.
“Këto Pashkë sigurisht janë Pashkë pak më ndryshe se gjitha Pashkët e tjera, pasi në këto Pashkë ne kemi pasur, siç kam thënë mbrëmë në predikimin e meshës së vigjiljes, një etje të madhe për dashuri”, tha Ipeshkv Dodë Gjergji.
Imzot Gjergji ka theksuar se Zoti nëpërmjet lejimit të keqes që ka kapluar aktualisht botën ka dashtë që t’i përballë të varfrin dhe të pasurin, të fortin dhe të ligshtin, të mençurin dhe të dijshmin me gjithë njerëzit e thjeshtë, duke vërtetuar se njerëzit nuk e kanë në dorën e tyre jetën, botën, natyrën e ligjet e saj.
“Gjitha ato janë në dorë të Zotit, edhe jeta, edhe vdekja, edhe trishtimi, edhe gëzimi, edhe vuajtja, edhe shpëtimi ynë”, u shpreh Ipeshkvi Dodë Gjergji.
Sipas tij, kjo situatë mundëson që me qëndrimin në shtëpi të kuptohet se aty është vendi ku gjendet gëzimi e dashuria e vërtetë. Duke theksuar se do të lutet për secilin besimtar dhe njëherësh ka shprehur mirënjohje që ata prej shtëpive të tyre kanë marrë pjesë në meshë.
“Do të vijë shpejt ajo ditë, kur ne do të kemi mundësi të vijmë edhe në kishë, për t’u gëzuar, për t’u lutur, për të kënduar dhe për të përshëndetur njëri-tjetrin”, shtoi ai.
Edhe
Mesha e Pashkëve përcillet me thirrjen për liderët politikë që të tregojnë përgjegjësi
Njëherësh ka kërkuar që koha e qëndrimit në shtëpi gjatë pandemisë të shfrytëzohet për reflektim.
Pashkët paraqesin festën më të madhe të kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të botës së krishterë, ku kremtohet ringjallja e Jezu Krishtit, që sipas Besëlidhjes së re ka ndodhur tri ditë pas vdekjes së tij në kryq.