Arbëri

Mes shumë “dështimesh”, AAK-ja ia gjen “një sukses” Kurtit

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka akuzuar Qeverinë Kurti për shumë dështime në shumë fusha gjatë punës njëvjeçare. Megjithatë, Tahiri ia llogariti një sukses, krijimin e Fondit të Sigurisë. Në një shkrim në Facebook, deputeti i AAK-së thotë se qytetari i Kosovës është më i pasigurt dhe më i pashpresë pas problemeve globale e mosveprimit nacional.

Sipas tij, Kosova është në udhëkryq pa vizion e qytetari më i varfër.

“Reagimi i vonshëm e një qeveri e arsyetimeve ka bërë që energjia të rritet me 100% në kurriz të qytetarit, derivatet dhe secili produkt ushqimor është rritur në nivele të pa krahasueshme dhe paga në sektorin publik e privat ka mbetur e njëjtë”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij në Facebook.

Tahiri e ka akuzuar për dështim Qeverinë edhe në rrafshin ndërkombëtar. Sipas tij, Kosova ka ulur kredencialet me komunikim të gabuar e mosbesueshmëri ndaj partnerëve.

“Raporti me SHBA-në është dëmtuar dukshëm, ndërsa pozicioni ynë me vendet e BE-së është në pikën më të ulët që ka qenë ndonjëherë. Dialogun e trajtojmë në nivel të teknikëve, ndërsa raportin me Serbinë e trajtojmë prej teme në temë, sikurse rasti i mbajtjes së zgjedhjeve më 3 prill. Ndërkaq, arritja e marrëveshjes finale, që përmbyllet me njohje, duket i pa qartë”, vijon shkrimi i Tahirit.

Në fund, Tahiri e numëroi “suksesin e vetëm” të kësaj qeverie, që thotë se “lehtësisht e dimë se është krijimi i Fondit të Sigurisë”.

 

Në ditën e parë të vitit të dytë me qeverinë Kurti II, me problemet globale e mosveprimin nacional qytetari i Kosovës,...

Posted by Besnik Tahiri on Wednesday, March 23, 2022