Adnan Merovci, ish-shef i protokollit të presidentit historik Ibrahim Rugova, në “Interaktiv” të KTV-së ka kujtuar gëzimin që kishte përjetuar ky i fundit kur NATO kishte nisur sulmet mbi caqet serbe.
Merovci, njëri prej personave të afërt të Rugovës përgjatë gjithë periudhës së paraluftës, ka thënë se nuk e ka parë asnjëherë në jetë më të lumtur presidentin Rugova se sa kur ka rënë bomba e parë e NATO-s.
“Prej momentit të bombës së parë në Kosovë Rugova e dinte se NATO nuk ndalohet pa u arritur qëllimi, ai e ka ditur se tani më politikë e biseda nuk ka, këtu kishte mbetur popullata dhe e ka ditur se kësaj i vjen një fund i lumtur”, ka thënë Merovci, përcjell Koha.net.
Këto ditë Kosova në njërën anë shënon 18 vjetorin e nisjes së bombardimit të NATO-së mbi Serbinë që kishin nisur më 24 mars 1999 dhe zgjatën për 78 ditë, dhe në anën tjetër kujton masakrat e tmerrshme që forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe po kryenin pa ndërprerë gjithandej nëpër fshatrat e qytetet e Kosovës.