Kandidat i Alternativës për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e 12 tetorit do të jetë Merkur Beqiri.
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, e ka prezantuar atë duke thënë se ai është inxhinier me një karrierë të gjatë, që sipas saj, përfshin digjitalizimin, inteligjencën artificiale dhe arsimin.
“Ai ka dhënë kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë punën e tij në arsim gjatë viteve ’90, nisma pioniere në digjitalizimin e gjuhës shqipe dhe edukimin teknologjik. Kontributi i tij gjatë krizave humanitare, veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19, është vlerësuar nga komuniteti profesional dhe ndërkombëtar, duke ndihmuar në menaxhimin më të mirë të resurseve dhe shpëtimin e jetëve”, ka shkruar Kusari-Lila.
Sipas saj Beqiri sjell me vete “mbi tri dekada përvojë profesionale në më shumë se 15 shtete të botës, duke bashkëpunuar me agjenci të njohura të Kombeve të Bashkuara si UNHCR, ËHO, FAO dhe Banka Botërore”.
“Përvoja e tij në menaxhimin e emergjencave, hartimin e politikave zhvillimore dhe udhëheqjen e operacioneve të ndërlikuara është një vlerë e veçantë për platformën tonë politike, për Kosovën si shtet dhe për Prishtinën si kryeqytet. Prezantojmë Merkurin të mërkurën, më 6 gusht, sepse 6 plus 6 bëjnë 12, dhe më 12 tetor votojmë Merkur Beqirin për kryetar të Kryeqytetit”, ka shkruar Kusari-Lila.
Në garë për kryetar të Prishtinës janë edhe kryetari aktual, Përparim Rama, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hajrulla Çeku i Lëvizjes Vetëvendosje, Uran Ismaili i Partisë Demokratike të Kosovës, VV-së, Bekë Berisha i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Besa Shahini e Partisë Socialdemokrate.