Arbëri

Merkel i përgjigjet letrës së LDK-së, shprehet e shqetësuar për ndryshim kufijsh

Prishtinë, 2 nëntor - Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpërndarë sot tekstin e përgjigjes së kancelares gjermane, Angela Merkel, në letrën që Isa Mustafa, i kishte drejtuar asaj dhe ministrave të punëve të jashtme të të gjitha vendeve të BE-së lidhur me qëndrimet e LDK-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Me këtë letër, thuhet në njoftimin e LDK-së, kancelarja Merkel e falënderon kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën për shkresën e dt. 28 shtator 2018, me të cilën e kishte njoftuar lidhur me qëndrimet e tij rreth dialogut në mes të Serbisë dhe Kosovës. Kancelarja Merkel thekson se “edhe nga këndvështrimi im është shumë me rëndësi që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të shtyjë përpara normalizimin e marrëdhënieve. Debatin rreth ndryshimit të kufijve edhe unë, sikurse ju, po e përcjell me brengosje të madhe”, porosit kancelarja Merkel.

Në lidhje me çështjen e liberalizimit të vizave të adresuar nga shkresa e kryetarit të LDK-së, kancelarja gjermane, Angela Merkel, shkruan: ”Unë jam e vetëdijshme sa e rëndësishme është arritja e udhëtimeve pa viza për qëllime turizmi për vendin tuaj. Thelbësore për Gjermaninë në këtë rast është plotësimi pa përjashtim i të gjitha kritereve, para se mund të jepet liberalizimi i vizave. Konsultimet e shteteve anëtare të BE-së rreth kësaj çështjeje janë duke vazhduar”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kishte njoftuar, në fund të muajit shtator të këtij viti, kancelaren gjermane Angela Merkel dhe ministrat e punëve të jashtme të të gjitha vendeve të BE-së lidhur me qëndrimet e LDK-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një reflektim në këtë letër kryetari Mustafa e pranoi para disa ditësh edhe nga ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti të Hungarisë, Peter Szijarto.