Ministria e Punëve të Brendshme u ka prezantuar mërgimtarëve fushatën “Festo me zemër, jo me armë”, me anë të vizitës së zëvendësministrit Blerim Gashani, në pikën kufitare të Merdarit.
Teksa u ka prezantuar këtë fushatë që po organizohet nga MPB-ja kundër të shtënave festive, Gashani ka kërkuar nga mërgimtarët që bashkë me institucionet të shpërndajnë mesazhet kryesore të kësaj fushate.
“Mërgimtarët janë një aset i madh për shtetin e Kosovës dhe për gjallërinë që sjellin në vendlindje. Ju kemi përzgjedhur ju me qëllim që të na ndihmoni të shpërndani këtë mesazh për rrezikun që kanë të shtënat festive dhe të raportoni rastet te Policia e Kosovës. Vetëm duke punuar së bashku mund të ndihmojmë në parandalimin e kësaj dukurie negative, e cila i përket së kaluarës”, theksoi Gashani, njoftoi MPB-ja përmes një komunikate.
Më tej thuhet se mërgimtarët kanë mirëpritur nismën e Ministrisë në parandalimin e të shtënave festive dhe theksuan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim.