Arbëri

Menaxhmenti la Shtëpinë e të moshuarve pa internet për muaj të tërë

Një studente kishte gjetur donacion për të siguruar abonimin njëvjeçar për internet në Shtëpinë e pleqve në Prishtinë, por thotë se drejtoresha e këtij institucioni tregoi neglizhencë për ta pranuar. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe një punonjëse e IPKO-s, kompani që ofron këto shërbime. Drejtoresha i ka mohuar akuzat dhe ka bërë zgjidhje me internetin vetëm pasi KOHA ka nisur ta trajtojë temën

Prej muajsh banorët e Shtëpisë së të Moshuarve në Prishtinë nuk kanë qasje në internet.

E prekur nga kjo situatë, që vështirësonte komunikimin e banorëve me të afërmit, një studente vuri kontakt drejtoreshën e këtij institucioni për ta bërë zgjidhjen.

KOHA ka arritur ta verifikojë se që nga 28 marsi, Shtëpia e të moshuarve ka qenë e njoftuar se s’ka internet e kabllor.

E qysh nga 9 prilli, Raze Aliçkaj, drejtoreshë e Shtëpisë, nuk i ka kthyer përgjigje studentes, e cila e kishte njoftuar se ka gjetur donacion.

Aliçkaj thotë se interneti ka munguar vetëm në njërin kat të ndërtesës.

“Ndoshta unë nuk kam pasur informacion të saktë se prej cilës datë nuk ka funksionuar, mirëpo në pjesën ku është terapia e punës është funksional kablloviku, aty është qëndrimi ditor. Fjala ka qenë për katin e dytë edhe aty normalisht që ka banorë, janë disa zonja që mblidhen e pinë kafe dhe normalisht që duan ta shikojnë (kabllovikun)”, u shpreh Aliçkaj.

Por, një punëtore e kompanisë IPKO thotë të ketë komunikuar me drejtoreshën, me qëllimin për ta ofruar shërbimin e internetit, por ka munguar gatishmëria për ta pranuar donacionin.

“Unë kam pranuar kërkesë nga klienti im, Arena Engineering, znj. Lumnije Demiri, për instalimin e shërbimit njëvjeçar në Shtëpinë e të Moshuarve e si donacion ndaj tyre. Në prezencën time klientja, znj. Lumnije, ka biseduar me drejtoreshën e Shtëpisë së të Moshuarve, ku i ka kërkuar leje për instalim dhe dokumentet e nevojshme. Drejtoresha është sjellë shumë keq dhe ka kërkuar të kontaktohet nga personi i IPKO-s. Në prani të klientit unë kam biseduar me znj. Aliçkaj duke u munduar t’i bëja zgjidhje, mirëpo nuk kam hasur në mirëkuptim. Kemi kërkuar dhe takim, mirëpo ende nuk na kanë lajmëruar”, ka thënë Arta Shala, punëtore e IPKO-s.
Akuzat i ka mohuar Aliçkaj. Ajo ka dhënë një tjetër rrëfim.

“Donatori kur do të bëjë diçka e bën me zemër. Nuk është hera e parë që dikush vjen të na dhurojë dhe të na ndihmojë diçka. Një punë që dikush do që ta bëjë e kryen”, ka thënë Aliçkaj.

Një ditë pasi KOHA ishte interesuar për mungesën e internetit në Shtëpinë e të Moshuarve, drejtoria e këtij institucioni ka treguar se ka lidhur kontratë që e ka mbuluar një donator tjetër.

Në Shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë qëndrojnë 62 banorë.