Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale Idriz Blakaj, është shprehur i hapur për nisje të hetimeve nga Prokuroria e Shtetit për kompleksin Memorial në Mejë. Ky reagim i tij vjen pas kërkesës që kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili i ka bërë kërkesë për hetime kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.
“Kryeministri ka kërkuar hetime për kompleksin në Meje. Unë nuk e di që ka pasur pakënaqësi nga familjarët. Projekti për kompleksin në Meje është në vazhdim. Nëse ka hetime unë jam i hapur. Ka pasur vërejtje për fisa pllaka, por janë rregulluar. Ende nuk ka përfunduar puna. Jam i kënaqur me u bë hetime në të gjitha komplekset”, ka thënë ai, raporton KTV.
Kryetari i Komisionit për Bujqësi Daut Haradinaj ka kritikuar punën e drejtorit të Agjencisë Idriz Blakaj. Me këtë nuk u pajtua Blakaj, i cili i ka ndërhyrë në fjalën e Haradinajt. Por, Daut Haradinaj, ka thënë se Blakaj nëse ka bërë shkelje të ligjit nuk do të mund t’i shmanget ndjekjes penale.
Gjatë raportimit në Komisionin për Bujqësi, Blakaj ka thënë se gjendja në Kompleksin Adem Jashari është e rëndë.
“Është vërtet që kullat janë në gjendje të vështirë. Unë kisha qef që po bëhen kritika për këtë. Konservimi, tenderi s’mundet me u konservu pa u aprovu ligji fillimisht në qeveri”.
Edhe anëtarë të tjerë të komisionit kanë kritikuar punën e kësaj agjencie.
Në fund, është miratuar raporti i punës për vitin 2017 të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.