Kandidati për asamble komunale në Prishtinë nga radhët e AAK-së, Luaras Meha, ka thënë se “kryeqyteti ka nevojë për një njeri të guximshëm, të papritueshëm si Daut Haradinaj”.
Meha në emisionin “038” të KTV-së u shpreh se i ka hyrë garës për të siguruar ulëse në asamblenë komunale të Prishtinës pikërisht për arsyet e lartpërmendura.
“U nis prej Dautit, filloi me bo ekipen më herët pasi të tjerë ende po flejnë. Prishtinës i duhet një njeri i guximshëm, që nuk i zhagit gjërat, që është i papritueshëm si Dauti. Kjo është arsyeja pse kam zgjedhur të jem me AAK-në”, ka thënë Meha.
Meha, si njëri nga themeluesit e Shoqatës së Gastronomëve, ka thënë se në Kuvendin Komunal synon t'i përmirësojë kushtet për gastronomët.
“Jam një prej themeluesve të Shoqatës së Gastronomëve, tash 3-4 vitet e fundi jam vetëm si anëtar. Unë në AAK do ta prezantojë vetëm veten time dhe do t’i mbrojë interesat e gastronomëve. Gastronomia ka probleme shumëvjeçare, nuk është vetëm pandemia që i ka shkaktuar. Janë do nene, do ligje që ka me i kthy në normalitet. Janë këto probleme të mëdha që duhet me i zgjidh, siç është pengesa e zërit, pagesa e çadrave nga lokalet e gjëra të tjera”, deklaroi ai.
Ndërkohë, për protestën e së martës që kanë organizuar gastronomet, ai ka thënë se kjo po bëhet për shkak të pakënaqësive të tyre.
“Është një event i pakënaqësisë. Organizohet për shkak që kemi mbetur shumë mbrapa me vaksinat, kemi mbetur shumë prapa me hapjen e orarit të gastronomisë në krahasim me vendet e rajonit”, u shpreh Meha.