Arbëri

Medalje për të suspenduarit

Pesë ditë pas vendimit të Policisë së Kosovës për suspendimin e ish-drejtorit të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq, dhe ish-shefit të Operacioneve Rajonale të kësaj drejtorie, Aleksandar Filipoviq, ata janë nderuar nga shteti i Serbisë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e nderoi Gjuriqin me “Urdhrin e Meritës së Klasit të Parë për Mbrojtje dhe Siguri”, i cili jepet për kryerjen me nder të detyrave në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, e Filipoviqin me medaljen e artë për trimëri “Millosh Obiliq”, pasi që refuzuan ta zbatonin vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave me targa të paligjshme serbe.

Duke ua dorëzuar medaljet në Presidencën e Serbisë, Vuçiqi i falënderoi ish-zyrtarët e Kosovës për që, siç tha, “e dëgjuan shtetin e tyre”. Dhe u premtoi punësim në institucionet e Serbisë.

“E ardhmja e tyre (Gjuriqit e Filipoviqit) është e shkëlqyer. Ata do të punojnë në organet shtetërore të Serbisë, sigurisht që nuk do të kenë të ardhura më të ulëta, përkundrazi. Do të bëjnë punë e tyre, për vendin e tyre, për popullin e tyre. Janë të rinj, ka ende shumë detyra të rëndësishme përpara tyre. Nuk do të dalin pension, nuk do të jenë në rrugë. Askush nuk do të jetë në rrugë, mes 3000 deri 3500 njerëz, do të kujdesemi për të gjithë. Mund të vonohemi një, dy apo tri ditë, por jo më gjatë se një muaj”, tha Vuçiq.

Gjatë ceremonisë, Gjuriqi theksoi se situata e deritanishme nuk mund të tolerohet.

“Shpresoj që fëmijët dhe pasardhësit e mi ta mbajnë në një vend të veçantë dhe ta mbajnë këtë urdhër në zemrat e tyre sikur unë. Nuk mund të tolerojmë më atë që ka qenë deri tash. Të themi jo, jo që të bëjmë problem, por të mundohemi ta gjejmë një zgjidhje që aktualisht është më e mira dhe e cila do të sjellë paqe dhe liri për të gjithë ne”, tha Gjuriq.

Nga kjo ngjarje, Vuçiqi e paralajmëroi edhe një vizitë në Paris, ku pritet që të diskutohet për situatën në Kosovë.

“Nuk mund të përgjigjem në të gjitha ato që bëjnë ata njerëz në Prishtinë, por reagimet dhe punët e tyre flasin se gjithçka kanë planifikuar dhe kanë dashur incidente e konflikte si dhe poshtërim të popullit serb. Ata nuk heqin dorë nga riregjistrimi i paligjshëm i automjeteve. Nuk u shkon në mendje të marrin pjesë në punën për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Tash është plotësisht e ekspozuar dhe e qartë, se ekzistenca e institucioneve është falë faktit që ne respektojmë fjalën dhe nënshkrimet tona”.

Më 3 nëntor, Policia e Kosovës, me rekomandim të Inspektoratit, e suspendoi Gjuriqin nga posti i drejtorit të policisë në Mitrovicën e Veriut, pasi që ai refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave me targa të paligjshme. Pas kësaj, edhe zyrtarë të tjerë serbë dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.