Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MEA dhe UP me memorandum bashkërendojnë aktivitetet për mbrojtjen e mjedisit dhe të faunës

Me qëllim krijimin e bashkëpunimit në mes të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina” konkretisht Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti sot kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi.

Institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij memorandumi do të bashkërendojnë aktivitetet për afirmimin e çështjeve aktuale në mbrojtjen e mjedisit dhe faunës, mbrojtjen e natyrës, ekspertizës dhe kërkimit shkencor për projekte mjedisore.

Me këtë rast ministri Kuçi tha se qëllimi i këtij memorandumi është të krijojë lidhje bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, gjegjësisht Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinës dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, më saktësisht bashkërendimin e aktiviteteve për afirmimin e çështjeve aktuale në mbrojtjen e mjedisit dhe faunës, mbrojtjen e natyrës, ekspertizë dhe kërkim shkencor për projekte mjedisore.

Ndërsa, rektori Sahiti u shpreh se me nënshkrimin e këtij memorandumi, punimet në fushën e mjedisit do të kenë mundësi që të vihen në pah më shumë.

Për mbarëvajtjen e këtij memorandumi janë caktuar edhe koordinatorët nga ana e të dyja palëve, të cilët do të monitorojnë dhe sigurojnë zbatimin e memorandumit në fjalë.