Kosova e ka të përfunduar çështjen e shënimit të kufirit vetëm me Maqedoninë. Me tre fqinjët e tjerë, Shqipërinë, Serbinë e Malin e Zi, kufiri vazhdon të mos jetë i përcaktuar.
Shteti më i ri në Evropë do ta ketë problem, sidomos përcaktimin e kufirit me Serbinë, vlerëson analisti politik, Avni Mazrreku, në një intervistë për Ekonomia Online.
Mazrreku, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë se Serbia do ta ketë vështirë që të bisedojë për kufirin me Kosovën, ngase vijën kufitare e njeh si një vijë kufitare administrative, përderisa për Kosovën ky është kufi ndërshtetëror.
“E para çka duhet me u zgjidh midis dy vendeve, Serbisë dhe Kosovës, është pozicionimi i qartë se si kualifikohet kjo vijë kufitare. Pavarësisht që ka pasur një marrëveshje të ndërmjetësuar nga ana e Bashkimit Evropian për menaxhimin e integruar të kufirit, kjo më tepër ka shkuar në një kontekst të themi teknik të organizimit të qarkullimit të ndërsjellë të njerëzve dhe mallrave midis këtyre dy shteteve dhe nuk e ka zgjidhur këtë problem politik, të hapur midis këtyre dy shteteve”, tha ai.
Ndryshimi i kufijve aktualë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është riaktualizuar ditëve të fundit nga ana e Serbisë. Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se kjo do t’iu hapte rrugën të dy shteteve për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ish-shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, është përgjigjur se Kosova i ka të përcaktuar kufijtë, të njohur ndërkombëtarisht dhe që nuk mund të ndryshojnë.
Edhe
Gjeografi Isufi thotë se demarkimi i kufirit me Serbinë do të jetë problem i madh për ekspertët
Mazrreku paralajmëron se Serbia do të tentojë t’i marrë territor Kosovës, për shkak të pretendimeve që ka edhe ndaj pasurive në Kosovë.
“Një problem i pambyllur në të cilin ka qenë i involvuar edhe KFOR-i në Kosovë, sipas rezolutës 1244, është çështja e majës ku ka qenë i vendosur sistemi i radarëve të ish-Jugosllavisë, përkatësisht të Serbisë, të cilët radarë kanë qenë të bombarduar gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s. Kjo pikë të themi që është e kontestuar nga ana e Serbisë dhe KFOR-it deri më tani, dhe më vonë do të jetë e kontestuar midis Kosovës dhe Serbisë”.
“Po ashtu një çështje tjetër që do të sjellë telashe në bisedimet në kontekst të demaskimit midis Kosovës dhe Serbisë është edhe çështja e liqenit të Gazivodës”, parashikon Mazrreku.
Numër i madh i dokumenteve që do të ndihmonin përcaktimin e kufirit ndodhen në Serbi, e shumica prej tyre janë të kohës së ish-Jugosllavisë.
Mazrreku propozon që institucionet të marrin pikë reference çështjen e Kushtetutës së vitit 1974, ngase sipas tij, ajo është baza mbi të cilën ka filluar të ndërtohet procesi i pavarësimit të Kosovës.
Edhe
Edhe me Serbinë pritet të ketë probleme gjatë demarkimit kufitar, thotë Tahiri
Qeveria e Kosovës i kishte propozuar BE-së që në kuadër të dialogut të Brukselit të diskutohet edhe për demarkacionin me Serbinë. Por, deri më tani nuk ka pasur vullnet nga pala tjetër.
Aktualisht, Kosova vazhdon ta ketë problem demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Marrëveshja ishte arritur mes dy qeverive dhe është ratifikuar nga Mali i Zi, por jo dhe nga Kuvendi i Kosovës, për shkak të kundërshtimeve të ashpra të opozitës së kaluar.