Arbëri

Me përplasje pritet të nis puna në Kuvendin e Kosovës

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës do të jetë sfida e parë, me të cilën do të përballen deputetët e legjislaturës së gjashtë të vendit, e cila pritet të konstituohet të enjten, më 3 gusht.

Propozimi i kandidatit për kryetarin e Kuvendit do të bëhet nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, i cili radhitet si subjekti i parë politik me më së shumti ulëse të fituara në Kuvend.

Përderisa përfaqësuesit e koalicionit PAN ende nuk e kanë sqaruar nëse i propozuari i tyre do të jetë lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, thonë se do të votojnë kundër zotit Veseli për postin e të parit të Kuvendit.

Paralajmërime të ngjashme ka bërë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka thënë se nuk do ta votojnë as Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit e as të nominuarin e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, për kryeministër të Kosovës.

Memli Krasniqi, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar përfundimtar nëse Veseli do të propozohet për kryetar të Kuvendit, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Politika është interesante, veçanërisht në Kosovë dhe veçanërisht kur kemi zgjedhje. Por, ne shpresojmë që do të jetë zoti Kadri Veseli - po e them edhe personalisht - për arsye që e ka kredibilitetin politik dhe mbështetjen politike, si dhe peshën politike, ndoshta për të udhëhequr më fuqishëm në mandatin e ardhshëm Kuvendin e Kosovës, sidomos kur kihet parasysh që do ta kemi një opozitë të fuqishme të përbërë prej Vetëvendosjes dhe LDK-së. Në anën tjetër, mund të jetë një kryetar, i cili mund ta menaxhojë në mënyrën më të mirë të mundshme Kuvendin. Por, ta shohim. Realisht, as unë nuk kam mandat që të them sot se kjo është çështje e kryer”.

Por, Albulena Haxhiu, deputete e zgjedhur e Lëvizje Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se deputetët e këtij subjekti politik, i cili është i dyti me radhë për kah numri i ulëseve në Kuvendin e Kosovës, do të marrë pjesë në mbledhjen konstituive të Kuvendit. Ajo ka ripërsëritur se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, do të votojnë kundër Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit.

“Natyrisht që do ta kundërshtojmë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit, në qoftë se propozohet një emër i tillë, për faktin se kryetari i Kuvendit duhet të jetë figurë unifikuese dhe jo përçarëse. Veseli ka dështuar që ta përfaqësojë interesin e secilit deputetë përbrenda Kuvendit, dhe t’i përfaqësojë sa më mirë interesat e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Madje, shpeshherë ka kërcënuar dhe ka fyer deputetët e Kuvendit, prandaj ne nuk mund ta përkrahim një njeri të tillë”, thotë Haxhiu.

Por, Haxhiu ka shtuar se, marrë parasysh aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, i cili i jep të drejtën subjektit politik me më së shumti ulëse në Kuvendin e Kosovës që ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, në këtë rast koalicionit PAN, atëherë, siç thotë ajo, propozimi i një emri tjetër nga ky koalicion ka mundësi ta marrë përkrahjen e deputetëve të Kuvendit.

“Ne jemi të bindur që përbrenda këtij koalicioni (PAN) ka njerëz, të cilët mund ta mbajnë këtë pozicion, ka njerëz, të cilët mund të marrin përkrahjen e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. U bëjmë thirrje që ta bëjnë një propozim të tillë”, tha Haxhiu.

Sidoqoftë, konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e kryetarit të tij, i hapë rrugë krijimit të Qeverisë së re të vendit. Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, formimi i Qeverisë i takon koalicionit PAN, por kërkohet që ky koalicion të sigurojë minimumin prej 61 votave. Përfaqësuesit e këtij koalicioni, kanë thënë se pas konstituimit të Kuvendit, brenda një kohë shumë të shkurtë do të mbahet edhe seanca e dytë e Kuvendit, ku do të votohet për Qeverinë e re.