Arbëri

Me koncert, klubet e natës dhe estrada kërkojnë hapjen e bizneseve

Klubet e Natës në Kosovë bashkë me disa prej këngëtarëve më të famshëm, kanë vendosur të mbajnë të mërkurën që vjen një protestë, përmes së cilës do të kërkohet nga Qeveria që të lejojë rihapjen e klubeve të natës.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, i cili ka njoftuar se protesta do të zhvillohet në sheshin “Skënderbeu” duke filluar nga ora 20:00.

Protesta do të zhvillohet nën tingujt e muzikës pasi parashihet që të performojnë disa prej artistëve kosovarë më të kërkuar.

“Të gjitha Klubet e Natës në Kosovë së bashku me estradën, njëzëri kemi vendosur të organizojmë Protestën/Eventin “QEVERI - LET US DANCE” si shenjë pakënaqësie nga harresa e Qeverisë për sektorin tonë. Më shumë se 1 vit e 5 muaj kemi bërë kompromis për t’i mbyllur bizneset tona, me shumë mund e sakrificë për t’u kujdesë për punëtorë, për të likuiduar qiratë e kreditë, pa mbështetje financiare, pa mbështetje fiskale, pa strategji, pa vizion për turizëm, e tu e rreziku edhe diasporën tonë, remitencën tonë. Sezona e verës është pjesa më e rëndësishme e vitit për ekonominë dhe sektorin tonë, dhe duke pasur parasysh gjendjen epidemiologjike dhe në pajtim me gjendjen ekonomike të bizneseve tona, tash më shumë se kurrë gjatë pandemisë, është momenti që të HAPEMI! Kjo event do të organizohet me datë 14 Korrik, në sheshin Skënderbeu, nga ora 20:00. Estrada jonë do të kujdeset për ti dhënë tinguj kësaj proteste me muzikë, duke performuar artistët si: CAPITAL T, DAFINA ZEQIRI, ERMAL FEJZULLAHU, KIDA, LEDRI VULA, LUMI B, MAJK, TAYNA, YLL LIMANI, DJ BANZ, DJ DAGZ, DJ PM”, thuhet në njoftim.

Klllokoqi ka thënë se ky aktivitet është inspiruar nga protestat që janë duke u mbajtur në Mbretërinë e Bashkuar me moton “LET US DANCE”.

Image