Arbëri

Kusari-Lila: Në formatin e dorëzuar komision hetimor parlamentar për energji s'mund të formohet

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari - Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se seanca e radhës plenare është më 28 prill, ku në rend dite është edhe votimi i kërkesës për themelimin e komisionit hetimor për energji.

Kusari-Lila lidhur me këtë tha se me formacionin aktual bllokohet formimi i komisioneve parlamentar pasi nuk ka grup parlamentar që mund të udhëheqë me Komisionin.

“Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, besoj se i informuat se seanca e radhës është më 28 prill, seancë e rregullt me pikat e zakonshme të rendit të ditës. Shtesë do të jetë votimi i kërkesë për themelim të komisionit hetimor parlamentar, shqyrtimi i Projektligjit në lexim të dytë për mbrojtjen e sekreteve tregtare, zgjedhjen e një anëtari të Bordit të RTK-së nga komunitete tjera joshumicë. Zgjedhja e tre anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, formimi i organit përzgjedhës të pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve në organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, si dhe debati parlamentar për punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës në vitin e parë të mandatit të saj”, tregoi Kusari-Lila.

Sa i përket formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen e energjisë, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Kusari-Lila, tha se në formën aktuale nuk mund të formohet dhe se duhet bërë ndryshim në kërkesën.

“Ekzistojnë dy forma të procedohet tutje me kërkesën e 40 deputetëve nga të gjitha grupet parlamentare, përveç të dy grupeve të pozitës. E para mund të tërhiqen nënshkrimet e njërit grup parlamentar, në këtë rast i vetmi me nënshkrime më pak është AAK-ja, e të merren nënshkrimet e një grupi tjetër parlamentar, që tashmë vet është nënshkrues i asaj, Listës Serbe, e tjetra është të tërhiqet komplet kërkesa e të procedohet vetëm nga njëri grup parlamentar i opozitës e të votohet në atë përmbajtje. Në formacionin aktual si është dorëzuar me 40 nënshkrime të deputetëve nga gjitha grupet parlamentare, bllokohet formimi i atij komisioni hetimor parlamentar, siç ka ndodhur edhe më herët apo siç është përgjigjur Kryesia e Kuvendit, kishte ndodhur një herë kur kryetar ishte z. Kadri Veseli dhe një herë kur kryetare ishte znj. Vjosa Osmani-Sadriu. I njëjti interpretim është dhënë nga Administrata e Kuvendit. Në formacionin aktual bllokohet formimi i mëtutjeshëm i punës për arsye se nuk ka grup parlamentar që sipas ligjit mund të udhëheq me komision. Pasi gjithë deputetët e gjitha partive janë nënshkrues përkundrejt faktit se jo në tërësi të gjitha grupet parlamentare me numër të plotë të deputetëve kanë nënshkruar. Por, përfaqësuesit e grupeve parlamentare kanë nënshkruar, e si të tillë konsiderohen konform Ligjit për hetim parlamentar”, tha Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se ishte një bisedim pa tensione në Mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit. 

Kusari-Lila është pyetur nga gazetarët edhe për mandatin e UNMIK-ut.

“Tashmë është i tejskaduar mandati i UNMIK-ut dhe i Rezolutës 1244. Kosova është vend i pavarur, sovran. Natyrisht kuptohet në Këshill të Sigurimit janë dy shtete që ushtrojnë të drejtën e vetos, Rusia e Kina, por në përmbajtje në terren në Kosovë, nuk ka asnjë kuptim funksionimi i UNMIK-ut, misionit sipas Rezolutës 1244”, tha Kusari-Lila.

Ndryshe, kërkesa për një komision hetimor për çështjen e energjisë është bërë nga PDK.