Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Më 21 korrik nis emetimi i bonove për diasporën

Më 21 korrik të këtij viti do të nisë emetimi i bonove të diasporës nga Ministria e Financave, proces i cili do të zgjasë deri më 18 gusht. Ministri Hekuran Murati deklaroi se bonot do të jenë 3 dhe 5-vjeçare, ku shuma totale e tyre do të jetë 20 milionë euro, derisa sipas nevojës, mund të rritet deri në 50 për qind.

“Paraditen e sotme u takuam me bankat komerciale dhe atë Bankën Qendrore (BQK) ku nëshkruan marrëveshjen për emetimin e kësaj bonoje për diasporën”, ka thënë Murati në një konferencë për media. Ai ka përmendur se gjashtë banka do të marrin pjesë në shitjen e këtij produkti, derisa blerja e mëpastajme mund të bëhet nga akterët primarë apo BQK-ja.

“Bonot janë investim i garantuar, fitimi është i liruar nga tatimi. Blerja nga akterët primarë apo BQK-ja. Kuponi apo kamata që paguhet, paguhet çdo 6 muaj. I pari më 20 shkurt 2022. Shuma minimale është 10 mijë euro, shuma për një person ofertimi është 500 mijë euro”, ka theksuar tutje ai.

Ministri i Financave ka përmendur se do të vijojnë investimet për diasporën “si motor të zhvillimit ekonomik”.

“Përtej levërdisë, kjo është parë si një instrument i cili e mobilizon kapitalin e diasporës tonë që të investohet në projekte zhvillimore, e jo vetëm të funksionoj si konsum për thellimin e deficitit tregtar.”

"Ky është premtim që po e përmbushim. Do të angazhohemi që diasporën ta kem si motor të zhvillimit ekonomik. kjo nismë është diçka e veçantë. Bonot janë instrument i garantuar nga Republika e Kosovës”, ka theksuar ai.